Bashkërendojnë politikat për reforma në shëndetësi

Kosova

Bashkërendojnë politikat për reforma në shëndetësi

Më: 26 shtator 2018 Në ora: 17:27
Ministri i Shëndetësisë së Kosovës, Uran Ismaili, gjatë një takimi sot në Tiranë me homologen e tij shqiptare Ogerta Manastirliu

Ministri i Shëndetësisë së Kosovës, Uran Ismaili, gjatë një takimi sot në Tiranë me homologen e tij shqiptare Ogerta Manastirliu, biseduan për bashkërendimin e politikave për reforma shëndetësore, të cilat të dy shtetet i kanë nisur gjatë kësaj qeverisje.

Me këtë rast, ministri Ismaili e njoftoi homologen e tij, për zhvillimet gjatë njëvjeçarit të fundit në shëndetësinë kosovare dhe shndërrimin e këtij sektori në një prioritet kombëtar

“I kam parë me kënaqësi të madhe reformat e mëdha të cilat i ka nisur Shqipëria në shëndetësi. Edhe në Kosovë kemi hapur shumë fronte për të zënë hapin në rrugën e reformave dhe përmirësimit të gjendjes në këtë sektor. Prandaj, kjo vizitë ishte një fillim i mirë i bashkëpunimit dhe bashkërendimit të politikave në rrugët tona për të ndryshuar për të mirë gjendjen në shëndetësi”, tha ministri Ismaili.

Ndërsa, ministrja Manastirliu shprehu gatishmërinë e qeverisë shqiptare për të ofruar të gjithë mbështetjen dhe përvojën institucionale shëndetësore për Kosovën.

“Ju ofrojë të gjithë mbështetjen e pa rezervë të Qeverisë Shqiptare, që në rrugën e reformave shëndetësore që keni nisur, për të cilat kemi dëgjuar edhe këtu, të keni një derë të hapur në të gjitha aspektet”, tha ministrja Manastirliu.

Të dy palët u dakorduan që pa humbur kohë të nisin bashkëpunimin, që reformat e nisura në shëndetësi, t’i zhvillojnë në bazë të përvojave më të mira që mund të marrin nga njëri-tjetri dhe krijimin e grupeve punuese të përbashkëta, për shkëmbimin e përvojave profesionale, në veçanti për ngritjen e Fondit të Sigurimeve Shëndetësore në Kosovë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat