Hekuran Murati autor i këtij hulumtimi ka thënë se kontrata është nënshkruar më 4 gusht 2017 me qëllim zgjatjen e pistës së Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës për 500 metra si dhe blerjen e pajisjeve tjera që nevojiten për ngritje të sistemit të aterrimit dhe rekomandimit.
Sipas tij, vlera e kësaj kontrate është 33.6 milionë euro, dhe deri më tani Ministria e Infrastrukturës nuk e ka bërë publike kontratën, me gjithë premtimet për ta bërë një gjë të tillë.
“Gjetjet nga analiza tregojnë se nënshkrimi i Kontratës për Zgjatjen e Pistës është në kundërshtim me ligjet në fuqi ngase financimi i këtij projekti paraqet subvencionim të kompanisë private dhe jo investim publik siç pretendohet”, tha Murati.
Madje, kjo kontratë sipas tij duhet të shpallet e pa vlefshme për kompaninë ‘Limak’, sepse është e kundërligjshme.
Eset Berisha këshilltar politik i ministrit të Infrastrukturës Pal Lekaj duke vlerësuar lart këtë hulumtim, tha se më 10 shtator 2017 kur ka marr mandatin ministri Pal Lekaj ka gjetur një kontratë nënshkruar më 4 gusht 2017, dhe tash kjo Ministri është e obliguar ta zbatojë një vendim të tillë.
“Secila kontratë është specifike, dhe nëse themi se është e kundërligjshme pa u verifikuar është e pa drejtë prej nesh me konstatuar”, ka thënë Berisha.
Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Korab Sejdiu ka thënë se ka kontrata të shumta të cilat nuk janë bërë publike dhe klauzolat konfidenciale duhet me u hequr dhe me u bërë publike të gjitha kontratat.
Analisti Haki Abazi tha se vullneti politik është i kriminalizuar dhe kontrata e dëmshme e aeroportit për pistën ishte dashur të ndalet nga kabineti i ministrit Pal Lekaj.
Profesori në RIT(AUK) Besnik Bislimi theksoi se çështja e pistës është ngjashëm me shumën e mjeteve edhe për “Bechtel Enka” dhe rasti tjetër me Telekomin. Sipas tij, dallaveret më të mëdha bëhen në Ministri të Infrastrukturës. Në këtë panel që udhëheqëse e diskutimit ishte Jeta Xharra, kanë qenë të ftuar edhe përfaqësues të LDK-së, të cilët në këtë kohë kanë qenë drejtues të Ministrisë së Infrastrukturës, por nuk kanë marrë pjesë.