Alarmante: Rënie drastike e nxënësve, mbi 11 mijë më pak nga viti 2004

Kosova

Alarmante: Rënie drastike e nxënësve, mbi 11 mijë më pak nga viti 2004

Më: 30 shtator 2018 Në ora: 10:16
Foto ilustrim

Numri i nxënësve të regjistruar në klasën e parë në shkollat e Kosovës ka rënë mbi 11 mijë, krahasuar me një dekadë më parë. Nga 36 mijë e 129 sa ishin në vitin shkollor 2004/2005, në vitin 2017/2018, ishin regjistruar vetëm 27 mijë e 406. Ndërsa këtë vit edhe 2 mijë më pak se në 2017. Dhjetëra miliona euro të investuara në shkolla, sidomos në fshatra janë duke dështuar.

Edhe ministri i Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi ka pohuar se ka rënie të numrit të nxënësve që nisin shkollimin fillor. Madje siç ka thënë ai këtë vit janë regjistruar mbi 25 mijë nxënës në klasat e para. Derisa statistikat thonë se një vit më parë ishin regjistruar 27 mijë e 406 nxënës.

Bytyqi: Ka rënie të nxënësve në të gjitha shkollat e Kosovës

“Ka rënie të nxënësve nga informacionet që na vijnë, në të gjitha shkollat në Kosovë. Kjo për shumë arsye, për shkak të migrimit dhe arsye të tjera. Por gjithsesi është një numër akoma i kënaqshëm për një vit të ri për nxënësit e klasës së parë”, është shprehur ai.

Eksperti i çështjeve të arsimit, Dukagjin Pupovci ka arsyetuar rënien e numrit të nxënësve me emancipimin e gruas.

Pupovci: Ky është çmimi i “emancipimit” të shoqërisë

“Nëse përcillet numri i lindjeve vërehet se është në rënie të vazhdueshme. Mendoj se është, të them ashtu çmimi i emancipimit, nëse mund ta them ashtu, të shoqërisë, në veçanti të gruas. Sepse gruaja synon që të punojë, të bëjë edhe karrierë, përveç që të jetë nënë. Dhe e gjithë kjo ndikon në rënien e numrit të fëmijëve. Prandaj, sipas projeksioneve do të ketë shumë më shumë njerëz të moshës mbi 65 vjeç se që ka në kohën e sotme.”, tha ai.

Ndërsa, Ismajl Kurteshi, anëtar i Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte, Inovcion dhe Ndërmarrësi thotë se krahas rënies së natalitetit, në zvogëlimin e numrit të nxënësve ka ndikuar edhe migrimi i popullsisë.

Kurteshi: Migrimi dhe planifikimi i familjes kanë bërë që numri i nxënësve që regjistrohen në shkolla të bie

“Po i veçoj dy faktorë. Një është migrimi i të rinjve të cilët nuk po gjejnë punë në Kosovë dhe po shkojnë në perëndim. Tamam ajo mosha e cila është për të krijuar familje dhe për të pasur fëmijë të vegjël, dhe në anën tjetër planifikimi i familjes. Çiftet e reja tani po i planifikojnë familjet shumë më të vogla se sa që janë planifikuar 15 vite më parë dhe para atyre 15 viteve kur numri i fëmijëve brenda një familjeje ka qenë shumë më i madh se që po bëjnë plan familjet me i pas fëmijët”, tha ai për KosovaPress.

E një konstatim tjetër e ka dhënë edhe ish-drejtoresha e Arsimit në komunën e Prishtinës, Arbërie Nagavci, e cila ka folur për zonat rurale dhe kryeqytetin në veçanti.

Nagavci: Ka një disbalanc në mes të zonave urbane dhe atyre rurale

“Ajo çka është evidente është se vërehet zvogëlimi i numrit të nxënësve në rajone të caktuara dhe paraqet njëfarë disbalanci në mes të zonave urbane dhe atyre rurale. Për shembull në Prishtinë nuk ka problem në lidhje me zvogëlimin e numrit të nxënësve, përjashtimisht në disa shkolla të fshatrave, përjashtimisht në komunat tjera ky numër po zvogëlohet gjithnjë e më shumë që flet për lëvizjet e mëdha të qytetarëve më shumë dhe më shumë se sa brenda vendit, largimi prej Republikës të Kosovës”, tha Nagavci.

Ndryshe, evidencat tregojnë se nga viti 2005 deri në vitin 2010 numri i nxënësve që nisën arsimin fillor ishte mbi 30 mijë, ndërsa në vitin 2011/2012 ra në 29 mijë, ku vazhdoi me rënie edhe viteve vijuese.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat