Asnjë gjyqtar i Gjykatës Supreme nuk ka pronë të përbashkët me grua

Kosova

Asnjë gjyqtar i Gjykatës Supreme nuk ka pronë të përbashkët me grua

Më: 1 tetor 2018 Në ora: 10:03
Gjykata Supreme

Në kuadër të projektit për avancimin e të drejtave pronësore, Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN), i mbështetur nga programi E4E dhe ATRC, janë duke realizuar një hulumtim në lidhje me regjistrimin e pronës në emër të dy bashkëshortëve.

Projekti parashihet të paraqesë gjetjet në lidhje me pronën e zyrtarëve të lartë në Republikën e Kosovës.

Nga ky hulumtim ka rezultuar se nga 16 gjyqtarë të Gjykatës Supreme të kontaktuar nga BIRN, përfshirë këtu edhe kryetarin e Gjykatës, prej 11 nga të cilët kemi marrë përgjigje, vetëm 2 gjyqtare kanë thënë se posedojnë pronë të paluajtshme të regjistruar në emër të përbashkët me bashkëshortët.

Nga kjo rezulton se asnjë gjyqtar i Gjykatës Supreme nuk e ka pronën e paluajtshme të regjistruar në emër të përbashkët me bashkëshorten.

Vetë kryetari i kësaj Gjykate, Enver Peci ka deklaruar se ai nuk posedon pronë të paluajtshme të regjistruar në emër të përbashkët me bashkëshorten e tij.

“Sa i përket pasurisë së regjistruar, unë posedoj pronë të paluajtshme në emrin tim, shtëpi në pjesën veriore të Mitrovicës, mirëpo, meqë ka problem me komunën e Mitrovicës së Veriut dhe qasja ime në atë komunë deri tani ka qenë e pamundshme, nuk kam aplikuar për legalizimin e të njëjtës”, ka thënë kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës, Enver Peci.

Peci për BIRN ka shtuar se  në momentin e parë që i ofrohet mundësia pronën do ta regjistrojë në emër të përbashkët me bashkëshorten.

“Në momentin që krijohen kushtet, unë do ta legalizoj shtëpinë dhe do ta regjistroj me ½ për mua dhe bashkëshorten. Në pjesën jugore të Mitrovicës unë kam në shfrytëzim me qira një banesë të dhënë nga Kuvendi Komunal i Mitrovicës, e cila është në shfrytëzim bashkë me bashkëshorten”, ka deklaruar ai.

Kanë qenë të vetmet gjyqtaret Emine Kaçiku e Emine Mustafa, të cilat kanë deklaruar se posedojnë pronë të paluajtshme të regjistruar në emër të përbashkët me bashkëshortin.

Ndërsa gjyqtaret Gyltene Sylejmani dhe Jelena Krivokapiq për BIRN kanë thënë se pronën që e posedojnë e kanë të regjistruar në emër të tyre dhe se nuk kanë pronë të regjistruar në emër të përbashkët me bashkëshortin.

“Një pronë e kam në emrin tim. Të dhënat, të gjitha janë të evidentuara nga Agjencia Antikorrupsion. Në bashkëpronësi me bashkëshortin nuk kam të regjistruar asgjë”, ka deklaruar gjyqtarja Gyltene Sylejmani.

Në mesin e gjyqtarëve të cilët janë deklaruar në lidhje me pronësinë, ka pasur edhe prej atyre të cilët kanë deklaruar se momentalisht nuk posedojnë asnjë pronë të paluajtshme të regjistruar në emër të tyre.

Gjyqtarët Muhamet Rexha e Beshir Islami kanë qenë ata të cilët kanë deklaruar se fare nuk posedojnë pronë të paluajtshme të regjistruar në emër të tyre.

“Nuk kam asnjë pasuri të regjistruar vetëm në emrin tim. Tërë pasuria që e kam deklaruar nuk është regjistruar në kadastër në emër tim as të bashkëshortes por në emër të babait tim të ndjerë”, është përgjigjur gjyqtari Beshir Islami.

Dy vite më parë, Agjencia për Barazi Gjinore në bashkëpunim me Agjencinë Kadastrale, i kishin propozuar Qeverisë së Republikës së Kosovës miratimin e një udhëzimi administrativ për regjistrimin e pronës së paluajtshme të përbashkët në emër të dy bashkëshortëve.

Qeveria e ka miratuar këtë iniciativë duke e parë si faktor të rëndësishëm inkurajimin e çifteve të reja që nga fillimi i krijimit të pronës ta gëzojnë të drejtën e regjistrimit të asaj prone në emër të dy bashkëshortëve, e drejtë që është e garantuar me Kushtetutën e Kosovës dhe me ligjet në fuqi.

Ky Udhëzim Administrativ NR.03/2016, për masat e veçanta për regjistrimin e pronës së paluajtshme të përbashkët në emër të dy bashkëshortëve i liron nga pagesa çiftet bashkëshortore që i regjistrojnë pronat për herë të parë.

Pronë e përbashkët e bashkëshortëve – nënkupton pasurinë e krijuar gjatë jetës në martesë e cila regjistrohet si pronë e përbashkët, administrohet bashkërisht dhe nuk mund të tjetërsohet pa pëlqimin e bashkëshortëve.

Në bazë të këtij Udhëzimi Administrativ, autoritetet publike janë të obliguara që të zbatojnë masa të veçanta të përkohshme me qëllim të rritjes së numrit të grave të regjistruara si pronare të përbashkëta si dhe me qëllim të përshpejtimit të realizimit të barazisë faktike midis burrave dhe grave në të drejtën pronësore.

Në kuadër të kësaj iniciative Kallxo disa muaj më pas ka kontaktuar me kryetarët e 31 komunave të Kosovës si dhe me drejtorët e drejtorive të të gjithë atyre komunave të cilët i ka pyetur se a e kanë të regjistruar pronën në emër të përbashkët me bashkëshortet e tyre.

Nga ky hulumtim ka rezultuar se nga 31 kryetarë të 31 komunave në Republikën e Kosovës të kontaktuar nga BIRN, prej 16 nga të cilët kemi marrë përgjigje, vetëm 4 kryetarë kanë deklaruar se posedojnë pronë të paluajtshme të regjistruar në emër të përbashkët me bashkëshortet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat