Tensione në seancën gjyqësore për tentim vrasje në Podujevë, gjyqtari thërret policinë

Kosova

Tensione në seancën gjyqësore për tentim vrasje në Podujevë, gjyqtari thërret policinë

Më: 4 tetor 2018 Në ora: 00:44
Tensione në seancën gjyqësore për tentim vrasje në Podujevë, gjyqtari thërret policinë

Mbahet gjykimi për vrasjen në tentative e ndodhur në Podujevë nga viti 2015.

Dy dëshmitarë janë dëgjuar në gjykimin e Bashkim Mulollit, i akuzuar për katër vepra penale, ndër to edhe për vrasje në tentativë.

Rasti për të cilin po gjykohet Mulolli ka ndodhur në Shajkovc të Podujevës më 2015.

Sipas aktakuzës, i pandehuri ka tentuar ta privojë nga jeta të dëmtuarin Eset Mani.

Prokuroria në aktin akuzues shpjegon se ngjarja ka ndodhur më 27 korrik 2015, kur i dëmtuari teksa ishte duke lëvizur me veturë, të cilën e drejtonte bashkëshortja e tij, Egzona Jupolli, atyre me shpejtësi të madhe u del para me veturë i akuzuari Bashkim Mulolli.

Aktakuza thotë se i pandehuri kishte dalë nga vetura me armë në dorë dhe më pas në veturë e merr një shufër metalike me të cilën e sulmon dhe e godet të dëmtuarin Eset Mani, e më pas edhe të dëmtuarën Egzona Jupolli. Kjo e fundit, si pasojë e goditjes humb vetëdijen. Më pas, i akuzuari e nxjerr revolen dhe ia drejton të dëmtuarit. I akuzuari shtien me revole dhe e njëjta i bllokohet. Pasi përpiqet ta zhbllokojë revolen, i akuzuari prapa dhe ikë nga vendi i ngjarjes. Për këtë, Prokuroria e akuzon Mulollin me veprën penale vrasje në tentativë.

Aktakuza përfshin edhe këto vepra penale: lëndim i lehtë trupor, asgjësim apo dëmtim i pasurisë dhe mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.

Në seancën e sotme, kanë dëshmuar dy dëshmitar.

I pari, Ramush Jupolli, i cili është babai i të dëmtuarës Egzona Jupolli.

Gjatë dëshmisë së tij, dëshmitari deklaroi se nuk ka qenë në vendin e ngjarjes, por për ngjarjen është njoftuar nga vajza e tij – e dëmtuara Egzona Jupolli, kur ishte liruar nga tretmani mjekësor.

I pyetur nga prokurori se a ka pasur mosmarrëveshje më parë në mes të akuzuarit dhe të dëmtuarve në këtë rast, Ramush Jupolli tha se asnjëherë më parë nuk ka pasur ndonjë problem apo mosmarrëveshje ndërmjet familjes së tij dhe të akuzuarit.

Mbrojtësi i të akuzuarit Mulolli, avokati Florent Latifaj, dëshmitarin e ballafaqoi më deklaratën e tij të dhënë në Prokurori, duke pretenduar se në seancë po deklaron diçka tjetër nga ato që ka deklaruar në Prokurori. Por dëshmitari tha që ato që po i dëshmon në seancë janë të vërteta.

Pyetje dëshmitarit i bëri edhe i akuzuari Bashkim Mulolli. Ai i tha se a janë pajtuar në mes vete në bazë të zakoneve.

Dëshmitari Ramush Jupolli pasi konstatoi se pala tjetër nuk është interesuar asnjëherë për shëndetin e vajzës dhe vetëm ka kërkuar që t’i falet, theksoi se rastin ka vendosur t’ia lërë ligjit dhe drejtësisë.

E kryetari i trupit gjykues Vesel Ismajli e pyeti dëshmitarin lidhur me raportet e tyre me të akuzuarin Bashkim Mulolli pas ngjarjes së ndodhur.

Dëshmitari Ramush Jupolli deklaroi se nuk kanë pasur probleme me të akuzuarin që nga dita kur ka ndodhur ngjarja, por se gjithnjë i ka paralajmëruar anëtarët e familjes së tij që duhet pasur kujdes në raportet me të akuzuarin sepse të njëjtin e ka njohur si person problematik.

Dëshmitari tjetër ishte Kadrush Jupolli, vëllai i Ramushit dhe axha i të dëmtuarës Egzona Jupolli.

Në ditën kritike, dëshmitari tha se ka qenë te vëllai i tij para shtëpisë të të cilit ka ndodhur rasti.

Kadrush Jupolli tha se pasi ka dëgjuar një britmë dhe një krismë ka vrapuar në drejtim të Egzonës, e cila ishte e gjakosur. Egzonën, sipas tij, në duar e mbante i dëmtuari Eset Mani.

Dëshmitari pasi u ballafaqua me një fotografi të vendit të ngjarjes, deklaroi që më vonë vetura e të dëmtuarës Egzona Jupolli është lëvizur nga vendi dhe është shtyrë më para nga ku ka qenë në momentin kur dëshmitari ka arritur në vendin e ngjarjes me të dëgjuar britma dhe krisma.

Gjatë deklarimit të dëshmitarit Kadrush Jupolli pati momente të fjalosjes ndërmjet mbrojtësit të të akuzuarit dhe dëshmitarit lidhur me deklaratat e dëshmitarit se provat janë manipuluar, për çka gjyqtari i rastit Vesel Ismajli u detyrua që brenda në sallë të thërrasë pjesëtarët e Policisë për të mbajtur rendin në sallë.

Në fund prokurori Hivzi Bajraktari propozoi që në seancën e radhës të ftohet eksperti mjeko-ligjor Naim Uka, në mënyrë që të elaborojë ekspertizën lidhur me dëmtimet dhe lëndimet e të dëmtuarës Egzona Jupolli.

Mbrojtësi nuk e kundërshtoi propozimin e tillë, meqenëse deklaroi se mbrojtja nuk e kundërshton ekspertizën, dhe se me këtë vetëm do të zvarritej procedura dhe do të zgjasnin seancat.

Kryetari i trupit gjykues e aprovoi propozimin e prokurorit dhe në seancën e radhës do të ftohet eksperti Naim Uka.

Seanca e radhës do të mbahet më 1 nëntor.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat