Thaçi në Drenicë përmend korrigjimin e kufijve, kryeministri: Kufijtë nuk preken

Kosova

Thaçi në Drenicë përmend korrigjimin e kufijve, kryeministri: Kufijtë nuk preken

Më: 5 tetor 2018 Në ora: 11:17

(E plotësuar) - Heronjtë Ilaz Kodra, Mujë Krasniqi dhe Abedin Rexha, i janë bashkuar sot bashkëluftëtarëve të tyre në kompleksin memorial në Marinë të Skënderajt, kompleks ky që është inauguruar sot.

Në këtë kompleks tashmë pushojnë eshtrat e 158 dëshmorëve të zonës së Drenicës, e që të gjithë sot nga presidenti i vendit Hashim Thaçi janë shpallur "Heronj të Kosovës".

Me këtë rast presidenti tha se inaugurimi i Kompleksit Memorial të Dëshmorëve në Marinë po rrumbullakohet më rivarrimin e tre komandantëve të UÇK-së.

Thaçi deklaroi se UÇK ishte projekti politik dhe ushtarak më i suksesshëm që ka krijuar historia e qëndresës dhe rezistencës së popullit shqiptar.

Presidenti tha se  Kosova sot po punon në konsolidimin e rrafshit të jashtëm dhe të brendshëm, ndërkohë që edhe një herë ka përmendur idenë e tij për korrigjimin e kufijve me shtetin serb.

Thaçi: Do të punojmë për bashkimin e Luginës me Kosovën

"Po punojmë intensivisht për anëtarësimin e Kosovës në Interpol. Presim me të drejtë në muajt e ardhshëm liberalizimin e vizave. Po punojmë fuqishëm në koordinim me miqtë tanë, SHBA-në dhe Bashkimin Evropian, NATO-n, për shndërrimin e FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës, në ushtri të Kosovës. Forcat e Armatosura të Kosovës, ushtarët tanë të cilët do ta ruajnë kufirin Kosovë Serbi. Si dhe në kuadër të dialogut të shtetit të Kosovës dhe Serbisë, do të punojmë në mënyrë unike që të arrijmë marrëveshje paqësore, duke nënkuptuar njohje reciproke, njohje nga 5 vendet e BE-së, anëtarësim në NATO, BE dhe OKB. Dhe në kuadër të marrëveshjes për korrigjimin e kufijve, korrigjime historike përfshi edhe për bashkimin e Luginës së Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit me territorin e Kosovës", ka thënë Thaçi.

Kësaj deklarate të presidentit, i është përgjigjur menjëherë kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj nën patronatin e të  cilit edhe është mbajtur ceremonia e inaugurimit të Kompleksit Memorial.

Haradinaj tha se e kanë borxh ndaj dëshmorëve për ta ruajtur Kosovën me këta kufij, pasi sipas tij ata kanë rënë për këta kufij.

Haradinaj: Ua kemi borxh atyre që kanë rënë për këta kufij

"Çfarë borxhi tjetër iu kemi këtyre që kanë rënë për liri, është e thjeshtë, iu kemi borxh me e forcua lirinë, atë për të cilën ata kanë rënë, me forcua shtetin. Me u forcua si popull në ekonomi, politikë të brendshme e të jashtme. Me e rujt Kosovën, me e rujt në territorin e vet dhe kufijtë e vet me i rujt të paprekshëm prej kurrkujt. Qoftë ai këtu me ne, qoftë tjetërkund, për shkak se këta kufij na i kanë lënë amanet këta që po i rehatojmë. Të gjithë duhet ta dimë se rritja jonë na pëlqen të gjithëve, por kurrë njëherë nuk guxojmë me livrit ose me luajt, ose me ngacmua atë që është arritur me gjak",  tha Haradinaj.

Kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, ka deklaruar se toka e Kosovës është larë me gjakun e dëshmorëve për t'u arritur liria dhe shteti i pavarur.

Kryeparlamentari Veseli u shpreh se askush nuk duhet të lejojë që të cenohet sovraniteti dhe integriteti i vendit, derisa ka ftuar për bashkim të gjithë.

Ai ka thënë se edhe sot Kosova ka djem të fortë të cilët kanë mbetur gjallë nga lufta, e të cilët nëse është nevoja prapë do t‘i thonë jo Serbisë.

 Veseli: Është çështje dite kur Kosova do ta ketë ushtrinë

"Ajo çka na duhet më shumë është të jemi më të bashkuar mes veti, mos t'i hapim fjalë njëri tjetrit, për arsye se kjo tokë është e shenjtë. Ky vend i kolosëve e përçon pikërisht këtë mesazh, kjo tokë është e shenjtë, kemi dhënë shumë sakrifica. Duhet të punojmë edhe më shumë që të ecim përpara. Po presim shumë shpejt një vendimmarrje e cila është çështje e ditëve, çështje jave, do ta kemi edhe transformimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në ushtri të Kosovës", tha Veseli.

Në këtë inaugurim ka folur edhe kryetari i Skenderajt Bekim Jashari, i cili tha se që nga sot Marina po hyn në hartën e kombit si vend ku pushojnë viganët e lirisë. Jashari u shpreh se duke qenë anëtar i familjes Jashari me të ardhë në krye të komunës i kishte dhënë detyrë vetës që të kujdesej për ata që kishin dhënë jetën për liri.

Jashari: Nuk mund të lejoja që heronjtë të mos kenë varre

"Nuk mund të lejoja që në shënimin e përvjetorëve të dëshmorëve, të ditës së flamurit, ditës së pavarësisë dhe Epopesë së UÇK-së të vendosnim lule pranë varreve të dëshmorëve ku nuk mund të dalloheshin emrat e tyre të shënuar në dërrasa druri. Nuk mund të më lejonte ndërgjegjja ime që të qëndroja në atë karrigen në zyrën time, ndërsa varret e dëshmorëve të mos dihen se ku janë, pa trajtimin e duhur institucional. Ndërsa tani pas 20 viteve këta heronj dhe dëshmorë të lirisë sonë do të pushojnë përjetësisht në vendin e tyre", tha Jashari.

Procesi i zhvarrimit të dëshmorëve ka filluar më 19 qershor dhe ka përfunduar më 31 korrik të këtij viti, ku në fazën e parë janë zhvarrosur nga varrezat e Polacit 112 mbetje mortore të dëshmorëve dhe prej tyre 101 janë rivarrosur në Marinë, ndërsa në Vushtrri janë rivarrosur dy, në Landovicë dy, në Kleçkë një, pesë në Shtime dhe një në Ferizaj.

Në fazën e dytë janë zhvarrosur trupat e 53 dëshmorëve nga fshatrat e Drenasit dhe Skenderajt dhe janë rivarrosur në Kompleksin Memorial në Marinë.

Jashari: Nga sot frymojmë më lehtë sepse i kemi  të gjithë heronjtë bashkë në Marinë

959631Me një ceremoni shtetërore sot është inauguruar kompleksi i dëshmorëve në Marinë të Skenderajt.

Në këtë kompleks janë rivarrosur 158 dëshmorë të zonës së Drenicës.

Me këtë rast presidenti Hashim Thaçi ka ndarë urdhrin hero i Kosovës për të gjithë dëshmorët e varrosur në këtë kompleks.

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, ka thënë  se ky memorial është respekt institucional për ata që dhanë çdo gjë  për lirinë e vendit.

 "UÇK  ishte projekti politik dhe ushtarak më i suksesshëm që ka krijuar populli shqiptar. Kush hyri në radhët e saj e përmbushën në aspiratë të kamotshme të popullit shqiptar. UÇK të pamundurën e bëri realitet. Ishte UÇK që fitoj mbështetje nga vendet më demokratike. Një mbështetje e tillë nuk mund të vinte pa gjakun e bashkëluftëtarëve dhe të qytetarëve të vendit", u shpreh ai.

Presidenti edhe sot në Marinë ka folur për idenë e tij për korrigjimin e kufijve.

"Sot Kosova po punon në konsolidimin e brendshëm të saj, po punon  për anëtarësimin e Kosovës në Interpol, presim edhe liberalizimin e vizave. Edhe FSK  po punojmë që ta transferojmë në ushtri. Si dhe në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi do të punojmë për të fituar njohje reciproke dhe anëtarësimi në të gjitha organizatat ndërkombëtare. Bashkimin e Luginës së Preshevës me territorin e Kosovës", tha ai.

Me këtë rast kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, duke folur për dëshmorët e në veçanti për ata të Drenicës tha se Marina tash dot ë jetë Meka e Kosovës.

"Mujë Krasniqi, të gjithë ata që e njohin e dinë që ka qenë një hero i vërtet edhe sa ka qenë gjallë. I tillë ka ra edhe në altarin e lirisë dhe për t’iu thënë jo kufijve në mes shqiptarëve. Këtu kemi edhe shimë djem të cuk që janë gjallë dhe që prapë do të ishin në gjendje ti dilnin para Serbisë. Ajo çka na duhet më shumë është të jemi më të bashkuar, mos t’i hapim fjalë njëri - tjetrit. Kjo tokë është e shenjtë dhe duhet të ecim përpara. Është çështje javësh kur do ta kemi FSK  në ushtri. Vendi i kolosëve ka qenë gjithmonë Drenica, tash Marina do të jetë Meka e Kosovës për sa do të jetë Prekazi e të tjera vende", tha Veseli.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, e ka nisur fjalën e tij duke thënë "oj Drenicë a jeni more". Ndërkohë që ka thënë se sot po rehatohen luftëtarët e kësaj toke.

Kryetari i komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, u shpreh se nga dita e sotme Marina ka hyrë në hartën e kombit si vend ku pushojnë viganët e lirisë.

“ Prej sot e kemi më të lehtë frymëmarrjen se po e përmbushim një detyrim ndaj kolosëve tanë të lirisë", tha ai.

Jashari tha se  sot Ilaz Kodra, Mujë Krasniqi e Abedin Rexha me dëshmorët e tjerë i japin Marinës një dimension që nuk e kishte.

Kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, është shprehur se sot heronjtë dhe dëshmorët janë bashkuar në zemër të Drenicës.

Jashari: Nga sot frymojmë më lehtë sepse i kemi  të gjithë heronjtë bashkë në Marinë

Kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari ka hapur ceremoninë e inaugurimit të kompleksit memorial të 17 heronjve dhe dëshmorëve në Marinë.

Në fjalimin e tij, Jashari ka thënë se është i lumtur që nga sot të gjithë dëshmorët janë në një vend së bashku dhe aty ku e meritojnë.

Sipas tij, nga tani të gjithë do të marrin frymë më lehtë kur e dinë se të rënët në luftë pushojnë në atdhe.

Më poshtë një pjesë nga fjalimi i Jasharit:

Sot marina po e bart peshën e dhimbjes dhe krenarisë sonë që nga kjo tokë do ti bëjnë roje atdheut, lirisë e ndërgjegjes sonë

Për mua ishte detyra ime e parë të përkujdesem për ata që dhanë më së shumti për këtë tokë, prandaj me të marr detyrën e të parit të komunës filluam me rivarrimin e dëshmorëve për në Marinë.

Unë s’mund të lejoja që në shënimin e ditës së pavarësisë dhe epopesë të vendosim lule në vende ku nuk lexohej emri në dërrasat e drurit.

Tani pas 20 viteve këta heronj dhe dëshmorë të lirisë do të pushojnë përjetësisht në vendin e tyre, në kompleksin memorial këtu në Marinë.

Prej sot e kemi më të lehtë frymëmarrjen sepse po e kurorëzojmë një detyrim të shenjtë ndaj dëshmorëve.

Nga sot familjet tona do të jenë bashkë duke vënë kurora me lule kudo që janë dëshmorët e heronjtë tanë, në Prekaz, Marinë, Reçak, Mitrovicë, Prishtinë etj, sepse ata ishin bashkë që ne të jemi të lirë e të bashkuar.

Sot Ilaz Kodra, Mujë Krasniqi së bashku me 155 dëshmorë tjerë pushojnë në kompleksin memorial në Marinë.

Kjo nismë e imja s’ishte e lehtë, prandaj falënderoj të gjithë ata që më ndihmuan, në veçanti familjarët e dëshmorëve me të cilët ndamë dhimbjen dhe krenarinë. 

Image
Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat