SBASHK-u shënon Ditën e Mësuesit me pakënaqësi

Kosova

SBASHK-u shënon Ditën e Mësuesit me pakënaqësi

Më: 5 tetor 2018 Në ora: 14:08
SBASHK

Dita Botërore e Mësuesit – 5 tetori, arsimin e Kosovës e gjen përballë një varg sfidash e problemesh.

Kështu është shprehur kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit dhe Shkencës, Rrahman Jasharaj përmes një konference për media që ky institucion ka mbajtur për shënimin e kësaj dite.

Jasharaj fillimisht uroi mësuesit duke folur për rëndësinë e madhe që ata kanë në edukimin e fëmijëve, pastaj foli edhe për problemet dhe pakënaqësitë që ndajnë.

Jaharaj: Të jesh mësues është punë e vështirë dhe lumturi

“Ju jeni autoriteti moral për nxënësit tuaj, të cilat formojnë vlerat morale dhe ndjenjat shpirtërore. Ju mësoni nxënësit të mendojnë në mënyrë të pavarur, të marrin vendime dhe të marrin përgjegjësi për zgjedhjen e tyre, të jenë qytetarë të denjë të vendit tonë. Të jesh mësues është punë ë vështirë, lumturi e madhe dhe përgjegjësi e madhe”, ka thënë Jasharaj.

Më tej, kreu i SBASHK-ut ka kritikuar institucionet shtetërore, të cilat sipas tij, pavarësisht se trumbetojnë se e kanë arsimin prioritet, rezultatet në terren e tregojnë të kundërtën.

Po ashtu, Jasharaj nuk është ndarë i kënaqur as me projektligjin për pagat, për të cilin ka thënë se është dëshmi e qartë se institucionet kosovare dhe Qeveria nuk e vlerësojnë sa duhet punën dhe angazhimin e mësuesve.

Madje, ai është shprehur se projektligji në fjalë e vendos mësuesin kosovar në pozitë nënçmuese.

Jasharaj: Nëse nuk merren parasysh kërkesat tona, SBASHK-u është i mobilizuar

“SBASHK-u po angazhohet dhe kemi marrë mbështetjen edhe nga Kryministri Haradinaj edhe nga të tjerët dhe jemi duke debatuar, kemi biseduar edhe me deputetët në komisionet gjegjëse që ky gabim i bërë të përmirësohet dhe ne shpresojmë se kjo do të ndodhë. Po ashtu, jemi me shpresë se edhe ligji për statusin e punëtorëve të arsimit do të votohet në Kuvend. Por, nëse nuk kjo nuk ndodh, nëse do të kemi probleme dhe nuk do të merren kërkesat tona te ligji i pagave dhe ligji për vitet e 90-ta, pra, dihet SBASHK-u është i mobilizuar, anëtarësia është e gatshme dhe kemi mbështetjen e tyre që të fillojmë me veprimet sindikale”, ka përfunduar Jasharaj.

Me gjithë ankesat dhe pakënaqësitë, kryetari i SBASHK-ut ka bërë të ditur se nuk do të nguten për të hyrë në grevë dhe se kanë premtime gjatë tetorit  ligji për pagat do të kryhet me përmirësimet e nevojshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat