Vushtrria edhe tri vjet pa stacion të autobusëve

Kosova

Vushtrria edhe tri vjet pa stacion të autobusëve

Më: 5 tetor 2018 Në ora: 17:33
Vushtrria

70 mijë banorët e Komunës së Vushtrrisë, ende nuk kanë një stacion të autobusëve. Por kryetari i Vushtrrisë Xhafer Tahiri premton nisjen e punimeve, tek vitin e ardhshëm. Mungesa e një stacioni të autobusëve në këtë qytet, sipas tij, është pasojë e neglizhencës së institucioneve.

“Vushtrria për fat të keq për shkak të një neglizhence nga institucionet publike dhe komunale, por edhe të AKP-së, ka humbur pronësinë mbi stacionin e autobusëve dhe tani 70 mijë banorë nuk kanë stacion të autobusëve”, ka thënë kryetari Tahiri.

I pari i Vushtrrisë premtoi se punimet për ndërtimin e stacionit do të fillojnë vitin e ardhshëm.

“Ne kemi planifikuar vitin e ardhshëm të fillojmë ndërtimin e stacionit të autobusëve, me një projekt tre vjeçar për të përfunduar stacionin e autobusëve”, ka thënë ai.

E ndërtimi i stacionit të autobusëve për banorët e kësaj pjese, është më se i domosdoshëm.

Valdete Krasniqi, udhëton çdo ditë nga Vushtrria në Prishtinë, për t’i vijuar studimet në Universitetin e Prishtinës. Mungesa e një stacioni për të paraqet një problem.

“Unë udhëtoj pothuajse çdo ditë dhe mungesa e një stacioni të autobusëve më shkakton vonesa, për shkak se nuk jam e informuar për oraret e autobusëve”, shprehet ajo.

Ndërsa për Liridon Miftarin, banorin tjetër vushtrrias, stacioni i autobusëve duhet të jetë prioritet i Komunës.
“Mendoj se ndërtimi i një stacioni duhet të jetë prioritet i Komunës. Sepse është një problem që shkakton kokë qarje por me pak mund, mund të zgjidhet lehtë”, ka thënë ai.

Nga ana tjetër, Tahiri premtoi se ky stacion do të ndërtohet në pjesën e ish-motel Vicianumit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat