Në panairin njëditor në Deçan promovohet mjalti dhe gështenja

Kosova

Në panairin njëditor në Deçan promovohet mjalti dhe gështenja

Më: 10 tetor 2018 Në ora: 14:33
Pnairi njëditor në Deçan

Sot në Deçan është mbajtur panairi i bletës dhe gështenjës, i cili ka mbledhur kultivuesit e mjaltës dhe të gështenjës, me qëllimin të promovimit dhe shkëmbimit të përvojat ndërmjet tyre.

Hapja e panairit u bë nga kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, i cili u shpreh se janë duke punuar për promovim sa më të mirë të komunës që ai drejton.

Ramosaj: Promovojmë vlerat dhe potencialin e Deçanit

"Në Deçan jemi munduar këtë vit me e bë një promovim të vlerave dhe potencialit që Komuna e Deçanit e ka dhe po besoj që jemi në rrugë të mbarë për këtë, mirëpo ende si cikël nuk kemi arritur për ta përfunduar. Një diçka që më bën të besoj në perspektivën e këtij qyteti është destinimi jonë në rrugën, e cila i qaset pasurisë në rrugën që është Deçan- Plavë dhe që po besoj këtë vit, në rast se ne arrijmë me dinamikat që i kemi të parapërcaktuara edhe me një marrëveshje që e kemi me KEDS-in me i zgjidh disa kontekste që janë në qytetin e Deçanit. E vitin tjetër këto bjeshkë do të jenë edhe me rrymë", u shpreh ai.

Përfaqësuesi i Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Qamil Mataj shprehu besimin se viteve të ardhshme ky panair do të jetë edhe më i madh.

Mataj: Vitet tjera do të jetë më të begatshme sesa këtë vit

"Në emër të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural me lejoni t’ju përshëndes për këtë panair kaq të organizuar që e keni. Ndërsa, besoj që vitet tjera do të jetë më të begatshme sesa këtë vit", tha ai.

Në panair morën pjesë edhe një numër i bizneseve nga Shqipëria, kurse prezent ishte edhe nënprefekti i Qarkut të Kukësit Granit Kurmekaj, i cili tha se është një bashkëpunim i mirë që po bëhet në mes dy shteteve.

Kurmekaj: Panairi, ogur i mirë për fermerët

"Meqenëse jemi si zonë ndërkufitare edhe projektet duhet të jenë të përbashkëta dhe kjo është një ogur shumë i mirë për fermerët, për familjet, për ekonomitë familjare të secilës zonë që i kultivon. Këto projekte duhet të jenë të vazhdueshme, duhet të marrin më të mirën e mundshme nga eksperiencat që kemi pasur", deklaroi ai.

Ndërkaq, për të prezantuar gështenjat e Tropojës ishte Shpend Nikoqi, kryetar i shoqatës "Gështenja e Tropojës", i cili panairin e quajti si një arritje shumë te madhe.

Nikoqi: Arritje e mirë për shkëmbimin e përvojave

"Kjo është një arritje shumë e mirë për shkëmbim përvoje, eksperience mes kultivuesve të gështenjës në Malësinë e Gjakovës dhe në territorin e Kosovës. Ne këtu kemi sjell një sasi të vogël të frutave të gështenjës nga Tropoja, është kultivari më i mirë, tradicional i ruajtur me kujdes ndër breza", u shpreh ai.

Ndërsa, mjaltin e Deçanit në panair e prezantoi edhe Shaqir Dabiqaj nga kompania "Bleta-Sh", i cili bëri të ditur se është brezi i katërt në familje që merren me kultivimin e mjaltës.

Dabiqaj: Panairi të mbahet më shpesh

"Sot prezantojmë mjaltë dhe molla, koha e shkurtër nuk kam marrë më tepër pasi që kam lloje të ndryshme të mjaltës. Por, nuk i kam marrë se koha e shkurtër katër pesë orë...Ideja për këtë panair është shumë e mirë me dashtë edhe më shpesh me na e mbajt, se është një ide shumë e mirë prezantimi në mes vete, pastaj çdo gjë që ekspozohet këtu janë prodhime vendore", tha ai.

Ndryshe, panairi është organizuar nga Komuna e Deçanit në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, menaxhuar nga GLV "Gjeravica" në Deçan.

Panairi është mbështetur edhe nga Shoqata "Fuqizimi i qëndrueshëm i pyjeve private dhe të decentralizuara në Kosovë", ku ka ndihmuar me një shumë simbolike pronarët e grupeve prodhuese që zhvillojnë sektorin e bletarisë dhe gështenjës në Deçan.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat