Korrigjimi i kufirit mes Fushë Kosovës e Graçanicës peng i ndryshimit të ligjit për kufijtë administrativ - Bota Sot
Korrigjimi i kufirit mes Fushë Kosovës e Graçanicës peng i ndryshimit të ligjit për kufijtë administrativ

Kosova

Korrigjimi i kufirit mes Fushë Kosovës e Graçanicës peng i ndryshimit të ligjit për kufijtë administrativ

Më: 13 tetor 2018 Në ora: 08:52
Burim Berisha

Kufiri Fushë Kosovë – Graçanicë nuk mund të rivendoset pa ndryshim të ligjit aktual për kufijtë administrativ të komunave. Një gjë e tillë sipas Ministrisë së Administrimit dhe Pushtetit Lokal mund të realizohet vetëm me ndryshimin e ligjit aktual për kufijtë administrativ.

Kuvendi Komunal i Fushë Kosovës të mërkurën ka miratuar vendimin për shqyrtimin e propozimit për arritjen e marrëveshjes lidhur me ndryshimin e kufijve kadastral në mes të kësaj komune dhe Komunës së Graçanicës.

Në vendimin e datës 05.10.2018, të kryetarit të Fushë Kosovës, Burim Berisha drejtuar Kuvendit komunal të komunës që ai udhëheqë, thuhet se me  24 gusht të këtij viti, Komuna e Fushë Kosovës përmes një shkrese i është drejtuar asaj të Graçanicës, duke i kërkuar që fshatrat Uglar dhe Preoc t’i bashkohen Fushë Kosovës.

Një kërkesë e tillë është miratuar edhe nga ana e Graçanicës, me këtë rast Kuvendi komunal ka votuar pro vendimit me datë 12 shtator 2018.

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal në një përgjigje elektronike thotë se nuk e ka pranuar ende vendimin e  Kuvendit te Komunës së Fushë Kosovës.

Sipas MAPL-së, komunat mund t’i ndërrojnë kufijtë vetëm pas plotësim ndryshimit të  ligjit aktual për kufijtë administrativ.

“Sa i përket bazës ligjore komunat mund të bëjnë propozime për rregullimin apo ndryshimin e kufijve administrativ ashtu siç parashihet me  Ligjin Nr. 03/l-041 për Kufijtë Administrativ të Komunave përkatësisht nenin 9, 10 dhe nenin 11  të tij i cili sqaron se rregullimi i vijave  kadastrale në mes komunave përfundimisht do të bëhet me plotësim ndryshimin e Ligjit Nr.03/L-041 për Kufijtë Administrativ të Komunave”, thuhet në përgjigjen e komunës.

Megjithëkëtë, në dokumentet e siguruara nga kallxo, bëhet e ditur se për kërkesën për ndërrim të kufijve administrativ, Komuna e Graçanicës i është drejtuar për të marrë mendim Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal.

Sipas dokumentit të datës 13 shtator 2018, MAPL-ja ka vlerësuar se propozimi është në pajtim me legjislacionin në fuqi.

“Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, pas shqyrtimit të aktit të komunës, vlerëson se akti i komunës në aspektin procedural është në pajtim me dispozitat e legjislacionit në fuqi”, thuhet në përgjigjen e kësaj ministrie.

Por iniciativën e Komunës së Fushë Kosovës po e kundërshton Lëvizja Vetëvendosje.

Albana Gashi, shefe e Degës së LVV-së në Fushë Kosovë, në një konferencë për media ditë më parë, tha se vendimi është në kundërshtim me ligjin dhe antikushtetues.

“Këto vendime janë në kundërshtim me ligjin aktual sepse ligji shprehimisht këto zona kadastrale ua njeh komunave përkatëse. Njëjtë edhe Kushtetuta e sheh ndryshimin kufijve përmes ndryshimeve ligjore. Kufijtë administrativ mund të ndryshohen vetëm nga parlamenti i Kosovës”, tha Gashi.

Lëvizja Vetëvendosje vlerëson se Komuna e Graçanicës po përpiqet të bëjë spastrim etnik të shqiptarëve në atë pjesë.

Image
Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat