Flet familjarja e Medinës: Është zgjuar shumë mirë, e ka puthur nënën e saj në faqe dhe...

Kosova

Flet familjarja e Medinës: Është zgjuar shumë mirë, e ka puthur nënën e saj në faqe dhe...

Nga: D.RR Më: 16 tetor 2018 Në ora: 22:07
Medina Buleshkaj

Një tjetër lajm i dhimbshëm sot ka tronditur qytetin e Istogut dhe gjithë Kosovën. Medina Buleshkaj, 12 vjeçare, ka ndërruar jetë derisa ajo ishte duke mbajtur orën mësimore në shkollën ku e ndjera kishte vijuar mësimet.

 “Bota sot” ka kontaktuar me një familjare të Media Buleshkajt. Tezja e saj, Blerta, ka thënë për gazetën “Bota sot” se, Medina ishte në gjendje shumë të mirë shëndetësore dhe nuk vuante nga ndonjë sëmundje.

“Medina ka qenë shumë mirë nga shëndeti. Unë atë e kam vajzë të motrës dhe vdekja e saj e papritur na ka pikëlluar të gjithëve”, ka thënë familjarja e të ndjerës.

Ajo rrëfen bisedën me të ëmën e Medinës (motrën e saj) pasi kanë marrë vesh se Medina ka ndërruar jetë. Ajo tregon se si përshëndetja e Medinës për në shkollë ishte e ngrohtë, e që ishte e fundit e saj.

“Motra (nëna e Medinës) më tha se është zgjuar nga gjumi shumë mirë, e ka puthur mamin e vet në faqe edhe u nis për në shkollë”, ka rrëfyer Blerta.

Më pastaj, shkolla i kishte lajmëruar prindërit e saj për t’ua treguar lajmin e hidhur. Blerta thotë se kontakti me prindërit e saj është i pamundshëm për shkak të pikëllimit të madh.

“Pas vdekjes, shkolla ka telefonuar prindërit e Medinës për t’iu treguar lajmin e hidhur. Kontakti me ta është i pamundur për shkak të mërzisë së madhe”, ka thënë për “Bota sot” tezja e Medinës.

Para pak ditësh në këtë qytet kishte vdekur edhe maturanti Diamant Osmanaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat