MKRS investon 250 mijë euro në Qendrën Rinore të Vushtrrisë

Kosova

MKRS investon 250 mijë euro në Qendrën Rinore të Vushtrrisë

Më: 17 tetor 2018 Në ora: 11:46
Vushtrri

(E plotësuar) - Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Kujtim Gashi, ka përuruar sot Qendrën Rinore në Vushtrri, investim në vlerë 250 mijë euro.

Gashi tha me këtë rast se vitin e ardhshëm do ta themelojnë Fondin Rinor për të financuar programe për të rinjtë.

Gashi: Do ta realizojmë fondin rinor

"Për herë të parë në vitin 2019 do ta fillojmë realizimin e një programi të veçantë e të madh për të rinjtë i cili po quhet 'Fondi rinor', ku kostoja e këtij fondi do të jetë jashtëzakonisht e madhe dhe ka për qëllim mbështetjen e programeve të të rinjve te të gjitha sferave, veçanërisht të të rinjve ndërmarrës, të cilët me idetë e tyre mund të hapin edhe biznese të vogla, po në të njëjtën kohë, me këto programe mund të zhvillojmë edhe aktivitete rinore, në mënyrë që të kemi gjatë tërë vitit një rini aktive e cila merret me projekte", ka thënë Gashi.

Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, tha se prej sot të rinjtë e kësaj komune do ta kenë vatrën e tyre. Njëherësh, tha se përveç të rinjve, ky objekt do t'i shërbejë edhe banorëve të tjerë.

Tahiri: Ky objekt është i të gjithë qytetarëve

"Ky është objekti i rinisë së Vushtrrisë, kjo është shtëpia e të rinjve të Vushtrrisë, do të jetë në shërbim të të rinjve të Vushtrrisë, në shërbim të aktiviteteve të tyre, në shërbim të mbështetjes së tyre, së organizatave rinore, të rinjve pa asnjë dallim, do të jetë një objekt që do t'i shërbejë të gjithë qytetarëve të Vushtrrisë dhe unë dua të falënderoj Ministrinë e Kulturës për mbështetjen e këtij projekti në komunën e Vushtrrisë dhe për ndërtimin e një objekti kaq të mirë për të rinjtë e Vushtrrisë", ka thënë Tahiri.

Ndërsa, kryetari i Kuvendit të të Rinjve të Vushtrrisë, Leutrim Latifi, tha se deri më tani rinia e këtij qyteti, aktivitetet i ka mbajtur në kafene e hapësira të tjera. Ai tha se ky kuvend është i gatshëm të kontribuojë me aktivitete pasi që tashmë kanë hapësirën e nevojshme.

Latifi: Kjo qendër është shtëpia jonë

"Kuvendi i të rinjve të Vushtrrisë ka planin njëvjeçar, po deri tash nuk i kemi pasur ato hapësirat e nevojshme për realizimin e tyre për shkak të mos hapësirave, siç ka qenë mungesa e qendrës rinore, për atë arsye i kemi mbajtur në kala apo shtëpinë e kulturës, s'kanë qenë kushtet mjaft të volitshme dhe tani për tani, kjo qendër do të jetë bë shërbim të tyre dhe gjithë ato projekte gjithë ato plane që i kemi, do t'i realizojmë në këtë qendër sepse është shtëpia jonë, shtëpia e gjithë rinisë", ka thënë Latifi.

Ndryshe, gjatë këtij takimi, ministri Gashi ka premtuar se MKRS do të vazhdojë me përkrahje për projektet e Komunës së Vushtrrisë. /D. Morina/

***

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi ka përuruar sot qendrën rinore të Vushtrrisë- e cila kap vlerën e 250 mijë eurove.

Gashi tha se kjo qendër do të jetë vatër për të rinjtë e këtij vendi.

"Është një prej investimeve më të rëndësishme në kuadër të Departamentit të Rinisë", ka thënë Gashi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat