PSD reagon për rrëfimin e të mbijetuarës së dhunës seksuale gjatë luftës

Kosova

PSD reagon për rrëfimin e të mbijetuarës së dhunës seksuale gjatë luftës

Më: 17 tetor 2018 Në ora: 11:51
Vasfije Krasniqi-Goodman

Vasfije Krasniqi-Goodman mbrëmë ka folur publikisht për një nga temat më të ndjeshme në Kosovë.

Ajo është bërë gruaja e parë, viktimë e dhunës seksuale gjatë luftës, që ka rrëfyer tmerrin e përjetuar kur është përdhunuar nga forcat policore serbe në vitin 1999.

Për rrëfimin e 36 vjeçares, kanë reaguar shumë fytyra publike dhe politikanë kosovarë. Së fundi, kreu i PSD-së, Shpend Ahmeti dhe nënkryetari Visar Ymeri kanë kërkuar drejtësi për krimet e bëra gjatë luftës.

Krasniqi-Goodman tani jeton në Teksas të Shteteve të Bashkuara, kurse në kohën kur ishte dhunuar kishte 16 vjet.

“Vasfije Krasniqi Goodman mbrëmë u bë guximi i Kosovës. E përdhunuar nga forcat serbe në moshën 16 vjecare, Vasfija foli mbërë publikisht në televizionin publik për këto krime të pafolura të luftës. Luftoi krimin, luftoi paragjykimin dhe luftoi për të vërtetën. Deri më tani, storiet e përdhunimit ishin numra, e mbrëmë ato u bënë reale dhe edhe njëherë na përkujtuan mbi dhembjet e luftës e krimeve.Por më me rendësi se krejt është të ju themi e të punojmë që drejtësia të ngadhnjejë e çdo kriminel të përgjigjet për krimet që I ka bërë. Pala kosovare në dialog duhet që këtë kërkesa ta parashtrojë si primare dhe të panegociueshme në cfarëdo opcioni”, thuhet në një pjesë të reagimit të Ahmetit.

Ymeri rrëfimin e Krasniqi-Goodman e ka vlerësuar si tronditës.

“Dhuna sistematike seksuale e ushtruar ndaj shqiptarëve në Kosovë gjatë luftës ka qenë e orkestruar dhe e organizuar nga shteti serb nën regjimin e Milosheviqit (ai të cilin Vuçiqi e quajti Lider me ide të mira). Kjo ka pasur për qëllim ta godas drejtpërdrejt stofin shoqëror në Kosovë. Refuzimi i diskutimit për këtë dhunë nuk bën asgjë përveç se e përmbush një pjesë të atij qëllimi. Ky refuzim kaq afatgjatë për të diskutuar për këtë krim i ka lënë viktimat e dhunës seksuale në agoninë e përhershme të dhimbjes e vuajtjes si pasojë e këtij krimi. Ne nuk duhet të turpërohemi nga krimet që na i ka bërë Serbia. Për to duhet të insistojmë në drejtësi”, ka shkruar Ymeri.

20 mijë është numri i përafërt i grave të dhunuara gjatë luftës në Kosovë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat