Importimi i veturave deri 15 vjet të vjetra rrezikon jetën e qytetarëve, thotë Kusari-Lila

Kosova

Importimi i veturave deri 15 vjet të vjetra rrezikon jetën e qytetarëve, thotë Kusari-Lila

Më: 17 tetor 2018 Në ora: 19:53
Ilustrim

Mimoza Kusari-Lila, deputete e Alternativës dhe anëtare e Komisionit për Zhvillim Ekonomik, ka thënë se zgjatja e limitit maksimal të vjetërisë për veturat e importuara rrezikon jetën e qytetarëve të Kosovës.

Të martën, Komisioni për Zhvillim Ekonomik votoi pro ndryshimeve të ligjit duke propozuar zgjatjen nga 10 në 15 vjet për limitin maksimal të veturave të importuara. Kjo sipas Kusari-Lilës bëhet për interesa personale ekonomike.

Ajo ka thënë se është kundër këtij propozimi sepse është vlerësuar se ndotësit kryesorë të mjedisit janë gazrat që emetohen nga veturat. Sipas saj, ndotësit e tillë po e rrisin normën e sëmundjes së kancerit në vend.

“Pavarësisht se deputetët po thirren në standardin EURO, ne po e rrisim ndotjen dhe sasinë e mbetjeve inerte apo hekurishtet. Kosova po kthehet prapa në një proces që s’ka asnjë gjë të mirëfilltë as në shëndet as në ekonomi”, ka thënë ajo.

Sipas Kusari-Lilës, qeveria duhet të kërkojë nga komunat që të rregullojnë fillimisht trafikun urban dhe të bëjë zbritje të taksave për blerjen e veturave më të reja. Ajo ka thënë se me lejimin për importim të veturave më të vjetra, në Kosovë do të vijnë vetura me probleme teknike dhe që s’kanë siguri brenda, sikurse që kanë modelet e reja.

“Do të rrisim rrezikun e shkaktarit kryesor të vdekjes nga ambienti dhe nga aksidentet”, ka shtuar Kusari-Lila. “S’dua të hy në spekulime, por s’ka të bëjë me mënyrë të sinqertë të mbrojtjes së kësaj iniciative. Kjo është në dëm të shëndetit publik dhe s’ka arsye për ta mbrojtur këtë. Në vendet ku synohet ruajtja e ambientit duhet të ketë reduktim të veturave në përgjithësi. Inkurajohen biçikletat, motorët elektrikë dhe forma tjera, por jo ajo e makinave. Pos që s’kemi vend të mirëfilltë të mobilitetit si shtet e as si komuna, ne tash shkojmë në formë më të rrezikshme përmes qasjes më të madhe me makina. Do të rriten problemet sidomos në Prishtinë ku ka më shumë qarkullim”.

Sipas saj, shoqëria civile duhet të mbajë përgjegjës çdo deputet që voton pro këtyre ndryshimeve dhe duhet të kërkojë llogari nga ta.

Sa i përket zhvillimeve tjera politike, Kusari-Lila ka thënë se partia e saj mendon që dialogu është temë që duhet të shkojë përtej politikës së përditshme.

Ajo ka thënë se “është momenti i fundit që të ketë një agjendë nacionale”.

Sipas saj, duhet të ketë platformë ku përfshihen të gjitha partitë shqiptare dhe nuk duhet të lejohet ndarje mes pozitës e opozitës në dialogun me Serbinë.

Sa i përket se si do të hynte Alternativa në zgjedhje nëse ato mbahen së shpejti, Kusari-Lila ka thënë se nuk sheh asnjë lidhje me partitë në pushtet. “Të këqijat në vend vetëm janë rritur”, ka thënë ajo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat