12 të mitur, pre e trafikimit në Kosovë

Kosova

12 të mitur, pre e trafikimit në Kosovë

Më: 18 tetor 2018 Në ora: 21:20
Foto ilustrim

Ende shqetësim i shoqërisë është fenomeni i trafikimit me njerëz. Sipas Policisë së Kosovës të cilët kanë ndarë me T7 të dhënat zyrtare, nga janari janë identifikuar 14 viktima të trafikimit me njerëz. Ndërsa 12 nga ta janë të mitur.

Nga janari i vitit 2018, janë identifikuar 14 viktima të trafikimit me njerëz, sipas Policisë së Kosovës.

Është një ndër sfidat me të cilat Kosova duhet të përballet për të qenë pjesë e Bashkimit Evropian. E dita kundër trafikimit të njerëzve, e gjen vendin me shifra mjaft të larta të kësaj dukurie.

Më së shumti nga ky fenomen, po pësojnë fëmijët, kryesisht të gjinisë femërore.

Vetëm gjatë periudhës janar-shtator të këtij viti, Policia e Kosovës, tha se 107 raste janë iniciuar nën dyshimin për trafikim me njerëz dhe veprave që ndërlidhen me trafikimin. E pre e trafikimit kanë qenë 12 të mitur.

Në ditën kundër trafikimit, edhe krerët e shtetit, pranuan njëzëri se trafikimi me qenie njerëzore mbetet ende sfidë në Kosovë.

Sipas tyre anëtarësimi në Europol dhe Interpol do të ndikojë në luftimin e kësaj dukurie.

Ndërsa shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Nataliya Apostolova, kërkoi më shumë përpjekje nga Kosova.

Megjithatë Presidenti i Shtetit vlerëson se Kosova ka arritur progres.

E Kryeministri i Kosovës, përmendi numrin e rasteve që Prokuroria ka punuar nga janari i këtij viti.

Collen Hyland nga Ambasada amerikane në Kosovë tha se Kosova ka rritur aktivitetin e saj për të çrrënjosur trafikimin me njerëz, ndërsa problematike mbetet edhe trajtimi i lëmosh kërkuesve në rrugë.

Ndërsa Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, shfrytëzoi rastin që të lavdërojë miratimin e ligjit të posaçëm për kompensimin e viktimave të krimit.

Të gjitha këto u thanë gjatë së enjtes në një konferencë të organizuar për të shënuar Ditën e BE’së kundër Trafikimit me Qenie Njerëzore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat