Rajoni duhet rris bashkëpunimin në sektorin e bujqësisë

Kosova

Rajoni duhet rris bashkëpunimin në sektorin e bujqësisë

Më: 19 tetor 2018 Në ora: 17:04
Këto rekomandime kanë dalë pas përfundimit të Forumit të 18–të të Politikave Bujqësore (FPB) për Evropën Juglindore

Vendet e Ballkanit duhet ta rrisin bashkëpunimin e tyre në sektorin e bujqësisë, si në bartjen e njohurive rreth politikave dhe masave për bujqësi dhe zhvillim rural. Po ashtu, këto vende duhet të vazhdojnë të shfrytëzojnë platformat ekzistuese rajonale të tilla, si Grupi Drejtues Rajonal për Evropën Juglindore, me qëllim të përmirësimit të zonave ekonomike, sociale dhe mjedisore të zonave rurale në BE.

Këto rekomandime kanë dalë pas përfundimit të Forumit të 18–të të Politikave Bujqësore (FPB) për Evropën Juglindore, i cili është mbajtur në Jahorinë të Bosnje dhe Hercegovinës, në të cilin kanë marrë pjesë më shumë se 160 përfaqësues të autoriteteve publike, civile dhe private, nga 15 vende të rajonit të Evropës Juglindore dhe jashtë saj.

Ndërkaq, delegacionin e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural të Kosovës e kanë përfaqësuar, drejtori i departamentit të vreshtarisë dhe verëtarisë, Bekim Hoxha, si udhëheqës i delegacionit dhe këshilltari i ministrit, Dragan Petrovic.

Sipas një komunikate të Ministrisë së Bujqësisë, ky forum dy ditor është organizuar nga Grupi Drejtues Rajonal për Evropën Juglindore (SËG) në bashkëpunim me Ministrinë e Tregtisë së Jashtme dhe Marrëdhënieve Ekonomike të Bosnjës dhe Hercegovinës.

Me këtë rast, gjatë këtij forumi vëmendje e veçantë iu kushtua bashkëpunimit të ardhshëm rajonal dhe reformave në fushën e sektorit të bujqësisë dhe zhvillimit rural në procesin e afrimit të rajonit të Evropës Juglindore me Bashkimin Evropian.

Punimet në këtë forum janë zhvilluar në katër grupe, në të cilat është diskutuar zgjerimi i veprimtarive ekonomike në zonat rurale në Vendet e Evropës Juglindore (SEE) në dritën e orientimit të ri të politikës së para-pranimit të BE-së, për tregun e tokës dhe qasjen e fermave të vogla në tokë në EJL, për politikat agri për zgjerimin e zhvillimit rajonal rural në SEE, si dhe për shkëmbimin e praktikave të mira në sektorin e përpunimit të mishit në Ballkanin Perëndimor.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat