Tregtarët kërkojnë rikthimin e veturave të vjetra, qytetarët jo - Bota Sot
Tregtarët kërkojnë rikthimin e veturave të vjetra, qytetarët jo

Kosova

Tregtarët kërkojnë rikthimin e veturave të vjetra, qytetarët jo

Më: 21 tetor 2018 Në ora: 15:30
Vetura në tregun e Fushë Kosovës.

Aktualisht në Kosovë tregtarët mund të importojnë vetura jo më të vjetra se dhjetë vite. Mirëpo, pas propozimit të deputetit, Mërgim Lushtaku për heqjen e kufizimit që nuk lejon importimin e veturave më të vjetra se dhjetë vite, Kuvendi po e shqyrton përsëri ligjin për automjete.

E heqjen e këtij kufizimi, po e kërkojnë edhe tregtarët e veturave në tregun e Fushë Kosovës.

Samir Voca, shitës i veturave në këtë treg, tha se nëse nuk hiqet ky kufizim, ai nuk di çfarë të bëjë me veturat më të vjetra se 10 vite që ai posedon.

Image
Samir Voca

Voca: Është humbje për ne nëse veturat e vjetra mbesin pa u regjistruar

“Mendoj se duhet të kthehet se është më e dobishme për neve. Se deri në 2008-sh, unë kam hala kerre që nuk munden me u regjistru… Unë kam hala kerre tjera që nuk munden m’u regjistru, kam 2004-sh, 2006-sh, që janë pa dogana dhe nuk mund të regjistrohen. Tash ai kerr me nejt ashtu është humbje”, ka thënë Voca.

Edhe Xhafer Fetahut po i konvenon heqja e kufizimit të importit të veturave të vjetra, kryesisht për shkak të kostos më të ulët që kanë. Kurse për dëmet që mund t’i shkaktojnë ambientit, ai tha se mund të evitohen përmes kontrollave teknike.

Image
Xhafer Fetahu

Fetahu: Na konvenon për shkak të çmimit më të lirë

“Mujnë me dëmtu po janë kontrollat teknike. Ta bëjnë të obligueshme kontrollën teknike për filterat, këto pjesët e kerrit çka janë dëmtuese për shembull që i nxjerrin gazërat jashtë dhe janë dëmtuese, ajo është send që mundet me u kompensu, me u ndreq, si gjithkund në botë që është… Çmimi është ma i lirë, nuk po të kufizon se në Kosovë nuk janë kushtet që gjithkush mundet me pas 2008-sh e tutje”, ka thënë Fetahu.

Por blerësit nuk po e ndajnë të njëjtin mendim me tregtarët. Ata duan që të mbetet kufizimi për importin e veturave më të vjetra se 10 vjet, por kërkojnë që të lirohen nga shpenzimet doganore.

Altin Berisha tha se veturat e vjetra po e dëmtojnë ambientin, andaj sugjeroi që mos të importohen në Kosovë.

Image
Altin Berisha

Berisha: Të na lirojnë shpenzimet doganore

“S’kisha mendu veturat më të vjetra se 10 vjet me i sjellë në Kosovë, për arsye se po e dëmtojnë shumë ambientin kerret e vjetra, por për mendimin tim kish qenë më mirë me i sjellë kerret e reja, por dogana edhe këto me i ulë pak, për arsye se krejt nuk i kanë financat për me ble kerre të reja. E kjo po na kushton më shumë në doganë”, ka thënë Berisha.

Të njëjtin mendim e ndan edhe Arben Gashi nga Arllati, i cili tha se nganjëherë më shtrenjtë po u kushton regjistrimi i veturave se sa vetë ato.

Image
Arben Gashi

Gashi: Duam vetura të reja, por të na heqin akcizat

“Mundësitë e tona janë me na heq këtë akcizë neve, na kemi qejf me ba do kerre ma të reja. Pse për shembull me lanë një Golf 2, apo një Kadet kur ka mundësi neve me na ndihmu domethënë, me na heq këtë akcizën e me i regjistru disa kerre më të reja, më të mira, me i heq këto, se edhe ambientin po e trazojnë krejt”, ka thënë Gashi.

Kundërshtime të ashpra sa i përket nismës së re ligjore, me të cilën parashihet të largohet kufizimi i vjetërsisë së veturave, kanë shprehur përfaqësuesit e Ministrisë së Infrastrukturës. Përfaqësues në këtë ministri e kanë vlerësuar të panevojshëm ndryshimin e ligjit, duke insistuar në qëndrimin e tij se krijohen çrregullime në tregun e importit të automjeteve dhe Kosova shndërrohet në varrezë veturash të vjetra.

Kurse, propozuesi i nismës ligjore për largimin e kufizimit të vjetërsisë së veturave më të vjetra se dhjetë vjet, Mërgim Lushtaku, kohë më parë është arsyetuar se deri te vendimi për ndryshim ka ardhur pas hulumtimeve të bëra, ku rezulton se në asnjë vend të Bashkimit Evropian nuk parashihet si kriter për importim vjetërsia e automjeteve, përveç standardeve në ruajtjen e ambientit.

“Kam hulumtuar se a ka ndonjë kriter të importit të veturave në BE në aspektin e vjetërsisë, s’ka standarde të vjetërsisë, por vetëm standarde të ambientit. Problemi më i madh është që shumica e veturave në Kosovë nuk regjistrohen, kjo është më shumë problematike sesa importimi. Veturat që nuk e kanë emetimin e standardit ‘Euro 4’ duhet t’i rregullojnë katalizatorët”, ka shtuar më tutje propozuesi i iniciativës.

Ndryshe, Kuvendi i Kosovës ka miratuar në lexim të parë heqjen e kufizimit të vjetërsisë së veturave më të vjetra se 10 vjet.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...