Kosova nga importuesi të kthehet në eksportues të sigurisë

Kosova

Kosova nga importuesi të kthehet në eksportues të sigurisë

Më: 22 tetor 2018 Në ora: 14:02
Pomovimi i librit “Pronësi Ndërkombëtare apo Lokale” të Florian Qehajës

Ndikimi i pranisë ndërkombëtare në Kosovë ka qenë shumë më i madh se që është dashur dhe kjo ka rezultuar në një varësi të vendorëve ndaj tyre.

Kështu u tha në promovimin e librit “Pronësi Ndërkombëtare apo Lokale” të Florian Qehajës, me ç ‘rast autori bëri të ditur se libri është derivat i punës  5-vjeçre dhe reflekton gjetjet e studimeve të tij të doktoratës.

Duke folur për librin, Qehaja, i cili është aktualisht drejtor i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, tha se libri nuk ka vetëm karakter akademik, por është edhe një përpjekje për të avokuar proceset shtetndërtuese në Kosovë.

Më tej, autori ka theksuar se prania e bashkësisë ndërkombëtare ka qenë më e madhe se që duhet, gjë ka shkaktuar një varësi të autoriteteve lokale dhe rrjedhimisht ka dëmtuar proceset e shtetndërtimit dhe pjekjen e qytetarëve të Kosovës për të qeverisur veten.

Qehaja: Prania ndërkombëtare e tepruar ka krijuar varësi tek kosovarët

“Kam konstatuar që ndikimi i pranisë ndërkombëtare ka qenë shumë më i madh se që është dashur dhe ka pasur pasoja, deri në një masë, jo të mira sepse kjo ka pasur si rrjedhojë, kjo ka rezultuar në një varësi të vendorëve, për më shumë, është bazuar në argumente të cilat kanë qenë kryesisht politike dhe nuk janë bazuar në nevojën që vendorët të jenë hisedarë, ndërkohë që ndërkombëtarët të jenë mbështetës të këtyre hisedarëve. Ka pasur raste kur që edhe pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, ata që kanë qenë në ulësen e vozitësit kanë qenë ndërkombëtarët, kurse vendorët kanë qenë në ulësen e dytë”, ka përfunduar Qehaja.

Për librin ka folur edhe recensenti, Agon Maliqi, i cili po ashtu ka drejtuar kritika ndaj qasjes së Bashkësisë Ndërkombëtare në Kosovë, por edhe për qasjen e kosovarëve karshi ndërkombëtarëve e që sipas tij, ka shkaktuar njëfarë mosbesimi midis palësh.

Ai e ka quajtur librin të rëndësishëm për të mësuar për fazën në të cilën po hyjmë. Në vazhdim, duke folur për librin, Maliqi ka nënvizuar se aty kosovarët mund të mësojnë se duhet të jemi aktorë e jo spektatorë të historisë, jo vetëm në fushën e sigurisë, por në të gjitha domenet.

Maliqi: Duhet të kthehemi nga importues të sigurisë në eksportues të sigurisë

“Ne po hyjmë në një moment kur Kosova po kthehet prej importuesit të sigurisë, ku ne përfitojmë prej të tjerëve për të na siguruar neve sigurinë, në duhet gradualisht të kthehemi  në eksportues të sigurisë dhe për të qenë të tillë duhet t’i përmbushim kriteret dhe të jemi tamam  shtet serioz, t’i përmbushim kriteret për shtetin efektiv, të shtetit i cili i përmbahet standardeve dhe respektohet ndërkombëtarisht” , ka potencuar Maliqi.

Në fund, autori iu dhuroi nga një libër të pranishmëve në promovim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat