15 mijë lodra të dëmshme asgjësohen këtë javë

Kosova

15 mijë lodra të dëmshme asgjësohen këtë javë

Më: 23 tetor 2018 Në ora: 10:12
Foto

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë do të bëjë asgjësimin e rreth 15 mijë lodrave të dëmshme për shëndetin, të mërkurën e kësaj jave.

Këtë e ka bërë të ditur , Elhami Ismajli zyrtar për media në MTI.

“Lodrat janë me copë, që do të asgjësohen dhe janë afër 15 mijë. Ka vetura, kukulla, plastelinë e gjëra të tjera, që në total janë afër 15 mijë. Jemi vazhdimisht në kontakt me doganat e Kosovës dhe deri më tani janë kthyer prapa 17 importe që nuk i kanë plotësuar standardet e përcaktuara. Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, e ka vendosur si njërin ndër prioritetet kryesore mbrojtjen e konsumatorit, e në këtë rast edhe largimin e lodrave që janë konstatuar se janë të dëmshme bazuar në analizat që i kemi kryer në Holandë”, thotë Ismajli.

Sipas MTI-së, lejen për asgjësimin e lodrave e kanë marrë nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe është caktuar edhe lokacioni për shkatërrimin e tyre, duke iu përshtatur ligjeve në fuqi të Republikës së Kosovës.

“Asgjësimi i lodrave do të bëhet këtë të mërkurë në Kishnicë të Graçanicës ku do të jenë të ftuara edhe mediat. Puna do të vazhdojë edhe në ditët dhe muajt e ardhshëm me një dinamik edhe më të shtuar të punës dhe rritje të inspektimeve që ka kërkuar ministri Shala”, thuhet në përgjigjen e zyrtarit të Ministrisë.

Ndërsa, edhe Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, ka konfirmuar  se ka lëshuar autorizim mjedisor për shkatërrimin e lodrave të plastikës.

“Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, konkretisht Departamenti i Mbrojtjes së Mjedisit dhe Ujërave, ka pranuar një kërkesë nga Inspektorati i tregut në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë për autorizim mjedisor. Kjo kërkesë ka të bëjë me shkatërrimin mekanik të lodrave prej plastike të cilat janë konfiskuar në tregun e Kosovës si mall i papërshtatshëm për tu tregtuar. Pas pranimit, kërkesa është shqyrtuar nga Departamenti i Mbrojtjes së Mjedisit dhe Ujërave dhe është lëshuar autorizimi mjedisor për shkatërrimin mekanik të lodrave prej plastike”, thuhet në përgjigjen e MMPH-së.

Media, në një hulumtim gjatë gushtit të këtij viti, kishte siguruar rezultatet alarmante të lodrave të fëmijëve që ekzistojnë në tregun e Kosovës dhe të cilat paraqesin rrezik të lartë për shëndetin.

Pas raportimeve në KALLXO.com, MTI-ja i kishte larguar nga tregu dhe përdorimi lodrat e rrezikshme për fëmijët.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat