Columbus: Tash e pesë vjet nuk është reviduar lista esenciale e barnave - Bota Sot
Columbus: Tash e pesë vjet nuk është reviduar lista esenciale e barnave

Kosova

E martë, 20 nëntor 2018

Columbus: Tash e pesë vjet nuk është reviduar lista esenciale e barnave

Më: 23 tetor 2018 Në ora: 12:50
Pamje nga tryeza

Lista esenciale e barnave, nuk është reviduar tash e pesë vjet. Si pasojë e kësaj përfaqësues të organizatës “Columbus”, janë shprehur se kanë hasur në probleme të mëdha, duke u favorizuar disa klinika, e disa tjerëve duke ua pamundësuar edhe përmbushjen e nevojave. Një gjë të tillë ka pohuar edhe vetë ministri i shëndetësisë, Uran Ismajli.

Ministria e Shëndetësisë, në vitin 2013 për herë të fundit ka reviduar listën esenciale të barnave. Një proces i ri i revidimit ka filluar në gusht të këtij viti.

Si pasojë  e mos revidimit të listës esenciale, Saranda Ramaj  hulumtuese në organizatën” Columbus tha se problemet më të mëdha që nga viti 2013 janë prokurimi publik i barnave. Duke shtuar se shumë kompani janë favorizuar e madje ka pasur raste që për nevoja të një klinike, klinikat tjera kanë pasur mungesa të mëdha të barnave.

Ramaj:  Disa klinika janë favorizuar, disa të tjera kanë pasur mungesë të barnave

“Produkti ‘trastuzumab’ në vitin 2013 ka qenë rreth 1500 euro dhe vlera totale e kontratës ka qenë rreth dy milionë e 480 mijë euro. Paramendoni në një klinikë si Onkologjia, një produkt që zakonisht përdoret, në shumicën e rasteve për trajtimin e kancerit të gjirit në fazën e tretë, shpenzohen rreth dy milionë e gjysmë nga një klinikë e cila për krejt llojet e kancerit i ka 5 milionë.  Dhe kjo normalisht është një padrejtësi”, tha Ramaj.

Se mos revidimi i listave esenciale ka paraqitur probleme të mëdha, ka pohuar edhe ministri i Shëndetësisë, Uran Ismajli.  Ai ka thënë se tash më janë duke u përkrahur nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, për revidimin e listës esenciale të barnave.

Ismajli: OBSH është duke ndihmuar në procesin e revidimit të listës esenciale

“Ne kemi filluar një fazë të revidimit të listës esenciale të barnave dhe për shkak të ndjeshmërisë së procesit, për shkak të mendimeve të ndryshme, qoftë profesionale, ne kemi kërkuar që të bashkëpunojmë me Organizatën Botërore të Shëndetësisë, si palë neutrale në këtë proces, përpos që është palë neutrale ne kemi zgjedhur një palë e cila realisht përfaqëson autoritetin kryesor sa i përket dizajnimit të listës esenciale. Pra i ka përmbush të dy kriteret, të cilat për neve kanë qenë shumë të nevojshme. Në fillim kemi pasur dy vizita të OBSH-së  në Kosovë, të cilat kanë hulumtuar për rastin dhe kanë diskutuar me shumë nga ne dhe me një fjalë e kanë testu se sa jemi ne të vendosur me hy në proces, në të cilin ata do të jenë aktiv dhe ata do ta kenë një kredibilitet të përfshirë në këtë proces”, tha Ismajli.

Ndërsa, kryetarja e komisionit parlamentar për shëndetësi, Besa Baftiu tha se asnjëherë lista esenciale nuk i ka mbushur nevojat e institucioneve publike, ku 70 përqind është për barnat, ndërsa 50 për qind për materialin shpenzues.

Baftiu: Janë të pa justifikueshme vonesat për revidimin e listës esenciale

“Ne si komision në vazhdimësi kemi kërkuar edhe në mandatin e kaluar edhe tash, që të bëhet revidimi i listës esenciale duke pasur parasysh këto që i thash më parë. Ne e kemi mbështetur dhe përkrahur iniciativën për revidimin e kësaj liste, mirëpo për neve janë të pa justifikueshme vonesat që po bëhen në këtë drejtim, duke pasur parasysh që qysh në maj apo në prill të këtij viti ministri në komision më ka thënë se do të filloj revidimi i listës esenciale. Tani jemi në muajin tetor dhe siç e pamë edhe nga prezantimi që e bëri Saranda, mirëpo edhe nga ministri, ky proces është në fazën fillestare”, u shpreh Baftiu.

 Në procesin e revidimit të listës esenciale, janë të përfshirë 46 persona në komision, ku do të përcaktohet se si do të shpenzohen 36 milionë euro.

Sipas Saranda Ramajt, ky komision është gjigant dhe shumica nga anëtarët e komitetit ende nuk e dinë as rolin e tyre.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test