Nga janari, Policia e Gjelbër në Kosovë do të aplikojë gjoba prej 20 deri 100 euro

Kosova

Nga janari, Policia e Gjelbër në Kosovë do të aplikojë gjoba prej 20 deri 100 euro

Më: 27 tetor 2018 Në ora: 23:21
Ilustrim

Nga janari i vitit të ardhshëm do të nis të funksionojë Policia e Gjelbër.

Gjobat për qytetarët që ndotin ambientin,  do të sillen nga 20 deri në 100 euro.

Fahri Fazliu mendon se ideja e fillimit të punës së Policisë së Gjelbër do të ndikojë pozitivisht në ruajtjen e mjedisit në Kosovë.

“Kjo ide është shumë e mirë. Unë mendoj se populli duhet të vetëdijesohet, jo me gjobitje, por vetë duhet të mësohen të mos i gjuajnë mbeturinat në shesh apo ambient”, deklaron për RTV Dukagjinin qytetari Fahri Fazliu.

Edhe Bajram Myzhtreda thotë se kjo do të  vetëdijesojë njerëzit që ta ruajnë sa më shumë ambientin.

“Sigurisht ne mendojmë se duhet gjithmonë të shkojmë para me vetëdijesim”, shprehet qytetari Bajram Myzhtreda.

Organizata “Ta pastrojmë Kosovën” është në bashkëpunim të vazhdueshëm me Policinë e Kosovës, dhe sipas  përfaqësuesve të saj,  me krijimin e kësaj policie ndihma do të jetë shumë më e madhe.

“Duke pasur përkrahje edhe nga policia, mbrojtja e ambientit do të jetë shumë më i lehtë. Secila formë e dënimit po bëhet që të ngrihet vetëdija qytetare. Me Policinë e Gjelbër ata që dëmtojnë ambientin do të jenë më të kujdesshëm”, deklaron Besnik Shabiu nga organizata “Ta pastrojmë Kosovën”.

Ndërsa, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor  thekson se  zyrtarët policorë  do të gjobisin  qytetarët që ndikojnë  në dëmtimin e mjedisit  nga 20 deri në 100 euro.

“Gjobitjet për personat fizik dhe juridik do të variojnë nga 20 deri në 100 euro për dëmtime të lehta. Ndërsa për dëme më të mëdha dënimet do të kalojnë 100 euroshin. Afati i pagesës do të jetë 15 ditë dhe do të paguhet vetëm gjysma e gjobës, ndërsa nëse vonohet pagesa shkon në përmbarues privat dhe gjoba do të paguhet e plotë”, thotë Leotrim Sahiti nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

Ky njësit policor pritet të fillojë punën në janar të vitit të ardhshëm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat