Pastrohet Gadimja, kërkohet mirëmbajtja e këtij vendi turistik

Kosova

Pastrohet Gadimja, kërkohet mirëmbajtja e këtij vendi turistik

Më: 28 tetor 2018 Në ora: 12:10
Pamje nga aksioni i pastrimit

Banorët e fshtati Gadime bashkë me vullnetarët e Let's do it Kosova kanë pastruar sot këtë fshat e njëherësh bënë thirrje që ky vend turistik të mirëmbahet. E aksionit iu bashkëngjiten pleq e të rinj.

Kryetari i Lipjanit, Imri Ahmeti tha se ky aksion është i rëndësishëm në radhë të parë për vetëdijesimin e qytetarëve. Ai tha se janë duke punuar në krijimin dhe mirëmbajtjen e hapësirave publike dhe premtoi investime për rregullimin e shtratit të lumit të Gadimes.

Ahmeti: Çdo familje do të pajiset me kontenjerë dhe shporta për mbeturinat

"Veprimet tona konkrete deri tash kanë qenë në dobi të krijimit të një ambienti më të mirë dhe krijimit të hapësirave publike për qytetarët e Gadimes, në këtë rast ne do të vazhdojmë me investime në shtratin e lumit Gadime, do të jemi në përfundim e sipër të kontratave për të pajisur çdo familje me kontinierë, me shporta të mbeturinave, dhe po sa ta kryejmë këtë aksion, sigurisht do të merren edhe veprime tjera konkrete ligjore në dobi të ruajtjes së ambientit", ka thënë Ahmeti.

Kurse, koordinatori i Let's do it Kosova, Luan Hasanaj u bëri thirrje banorëve që ta mirëmbajnë fshatin dhe të krijojnë një kulturë të kujdesit ndaj hapësirës publike. 

Hasanaj: Imazhi i Kosovës nuk guxon të jetë i papastër

"Vendet si Gadimja janë imazhi i Kosovës, dhe imazhi i Kosovës nuk guxon të jetë imazh i papastër dhe këtë po e bazoj në atë që ne i mbajmë shumë mirë pronat tona private dhe veten, pra ne jemi popull i pastër, vetëm ka nevojë që kështu si e konsiderojmë pronën private ta konsiderojmë edhe pronën publike", ka thënë Hasanaj.

Ndërkaq, sipas kryetarit të fshatit Gadime, Mustafë Rexhepit, një nga arsyet që ky vend po rrethohet nga mbeturinat, është moskontraktimi i kompanive të pastrimit nga ana e banorëve të këtij fshati. Ai tha se as gjysma e banorëve nuk kanë të kontraktuar ndonjë kompani pastrimi dhe apeloi që të bëhet një gjë e tillë.

Rexhepi: Kontraktoni kompanitë e pastrimit

"E imja është të bëjë apel që çdo banor e kryefamiljar i Gadimes të anëtarësohet e ta bëjë kontratën me kompaninë e pastrimit dhe prej sot të jenë përgjegjës secili për familjen e vet. Kështu që çdo javë vjen kamioni nga kompania e pastrimit, i merr mbeturinat edhe nuk ka nevojë të hudhen vend e pa vend", ka thënë Rexhepi.

Ndërkaq, gjatë ditës për të tretën herë u organizua aksioi i pastrimi te hapësira përreth stadiumit “Fadil Vokrri”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat