Dhuna në familje, shqetësim për shoqërinë në Kosovë

Kosova

Dhuna në familje, shqetësim për shoqërinë në Kosovë

Më: 30 tetor 2018 Në ora: 13:58
Tryeza me temën “Bashkë kundër dhunës”

Dhuna në familje si një temë jashtëzakonisht delikate dhe e ndjeshme, është problem dhe shqetësim i madh për shoqërinë kosovare.

Kështu u tha sot në Mitrovicë, gjatë tryezës me temën “Bashkë kundër dhunës” që u organizua nga Drejtoria rajonale e policisë në Mitrovicë, ku pjesëmarrës ishin përfaqësues të institucioneve ligjore, të sigurisë, fetare, arsimore, sociale, të shoqërisë civile dhe psikologë.

Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, tha se në një komunë ose në një shtet ku ka dhunë në familje, ai shtet nuk mund të jetë demokratik.

Sipas tij, kjo dukuri e cila fatkeqësisht vazhdon të jetë prezente në Kosovë duhet të luftohet fuqishëm me të gjitha format, ndërsa ka apeluar që dhuna të raportohet dhe mos të heshtet.

Bahtiri: Dhunën duhet ta luftojmë fuqishëm me të gjitha mjetet

“Nuk mundet që një shtet apo komunë të funksionojë në mënyrë demokratike nëse ka dhunë në familje. Kjo dukuri akoma ekziston në Kosovë dhe ne duhet ta luftojmë fuqishëm me të gjitha mjetet. Kisha apeluar tek secili, qoftë në familje, rrugë etj, që mos ta ndal zërin për të paraqitur të keqen që ndodhë. Ne si komunë kemi bërë një ndërtesë e cila shërben për të strehuar njerëz që përjetojnë dhunë në familje”, ka thënë mes tjerash Bahtiri.

Ai ka lavdëruar punën e policisë, derisa ka fajësuar gjyqësorin se shumë nga pjesëmarrësit e dhunës po i lë të lirë.

Zëvendësministri i Drejtësisë, Naim Çela, premtoi se deri në fund të këtij viti institucionet relevante do të arrijë që t’i përmbyllin detyrat e parashtruara, njëkohësisht duke përmbushur edhe rekomandimet e komisionit evropian rreth kësaj dukurie.

Çela: Jemi në fazën e krijimit të një data-baze

“Jemi në fazën e krijimit të një data-baze vetëm për rastet e dhunës në familje, dhe shpresoj se me këtë ritëm të punës, me këtë mbështetje institucionale, por edhe të pushtetit lokal, deri në fund të vitit ne do të arrimë me i përmbyllë të gjitha detyrat që ia kemi caktuar vetes, në anën tjetër t’i përmbushë edhe rekomandimet e Komisionit Evropian”, sqaroi Çela.

Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, tha se BIK-u ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm sa i përket dukurisë së dhunës në familje, duke organizuar ligjërata të shumta nëpër xhamitë, por edhe nëpër institucione të ndryshme të Kosovës.

Tërnava: BIK-u ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm

“Bashkësia Islame e Kosovës, në veçanti drejtoria e kryeimamit, ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në këtë drejtim, duke organizuar ligjërata të shumta nëpër xhamitë e Kosovës, tubime të natyrave të ndryshme nëpër institucionet tona, ndërsa kështu do të vazhdojmë edhe në të ardhmen”, tha Tërnava.

Kryeprokurori i Prokurorisë për rajonin e Mitrovicës, Shyqyri Syla, ka bërë të ditur se nga më shumë se 160 rastet e paraqitura në prokurorinë e Mitrovicës gjatë këtij viti, 90 për qind të viktimave të dhunës në familje janë femrat dhe fëmijët.

Syla: Të mobilizohemi për eliminimin e kësaj dukurie shqetësuese 

“Në rastet e dhunës në familje të paraqitura në prokurorinë e Mitrovicës, e që kanë të bëjnë me territorin të cilin e mbulon kjo komunë, ku përfshihen komunat Leposaviq, Zveçan, Mitrovicë, Zubin Potok, Vushtrri dhe Skenderaj, 90 për qind të viktimave të dhunës në familje janë femrat dhe fëmijët dhe m’u për këtë arsye është me rëndësi të mobilizohemi për eliminimin e kësaj dukurie shqetësuese jo vetëm në rajonin e Mitrovicës, por për gjithë territorin e Republikës së Kosovës”, tha Syla.

Ai ka uruar që në të ardhmen nëpër konferenca të tilla të mos ketë nevojë më të flitet për dhunën në familje dhe tema të ngjashme, por për çrrënjosjen e dukurive të tilla negative dhe për tema më të mira.

Këshilltarja e kryeparlamentarit të Kosovës, Valdete Idrizi, dhunën në familje e quajti ‘e keqe e madhe që na përket të gjithëve’. Ajo ka kërkuar prezencë dhe angazhim më të madh edhe të meshkujve në këtë drejtim, duke thënë se kontributi i përbashkët ndaj kësaj dukurie negative është shumë i rëndësishëm dhe i jashtëzakonshëm.

Idrizi: E rëndësishme bashkë ta luftojmë këtë dukuri

“Të gjitha fushatat vetëdijesuese, një punë jashtëzakonisht të madhe të cilën e kanë bërë Lëvizjet e grave, organizatat e shoqërisë civile, apo zyrtaret për barazi gjinore që kryesisht janë gratë, por jo shpesh herë kemi parë edhe bura prezentë në këso lloj ftesa. Burra që flasin se është ligësi për të trajtuar gruan në mënyrën qysh s’e meriton. Prandaj është jashtëzakonisht e rëndësishme që ne bashkë ta luftojmë këtë dukuri”, potencoi Idrizi.

Ndryshe, në tryezën e sotme diskutuan edhe pjesëmarrës tjerë, të cilët pothuajse njëzëri konstatuan se të gjithë së bashku duhet angazhuar për të krijuar praktika bashkëpunimi me qëllim të identifikimit, raportimit, parandalimit dhe trajtimit të kësaj dukurie negative.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat