ORCA: Shumica e profesorëve të UP-së nuk i justifikojnë titujt

Kosova

ORCA: Shumica e profesorëve të UP-së nuk i justifikojnë titujt

Më: 31 tetor 2018 Në ora: 00:18
ORCA

Nga 465 profesorë të Universiteti të Prishtinës, vetëm 189 (41%) i justifikojnë titujt sipas kriterit të punimeve shkencore në revistat me koeficient, kurse 276 (59%) prej tyre nuk i justifikojnë titujt sipas këtyre kritereve.

Kështu është bërë e ditur sot gjatë publikimit të raportit final lidhur me integritetin akademik të Universitet të Prishtinës të prezantuar nga Organizata për Rritjen e Cilësisë së Arsimit (ORCA).

Sipas raportit të ORCA-s, nga 189 profesorë që i justifikojnë titujt, 98 janë profesorë asistentë, 58 profesorë të asocuar dhe vetëm 33 profesorë të rregullt.

Ndërsa, sipas tyre sa i përket atyre që nuk i justifikojnë titujt që i kanë, 64 janë profesorë asistentë, 107 profesorë të asocuar dhe 105 profesorë të rregullt.

Autorja e këtij raporti, Adea Kondirolli, tha se në UP këtë vit janë identifikuar 1735 punime, në krahasim me vitin e kaluar që ishin 1320.

“Në Universitetin e Prishtinës këtë vit janë identifikuar 1735 punime, përkundër vitit të kaluar 1320, përpjesëtuar me numrin e stafit akademik në 2018 që është 465 profesorë, del se një profesor në UP ka mesatarisht 3.7 punime. Në vitin 2017 kjo mesatare ka qenë 2.7. Profesorët e Fakultetit të Filologjisë kanë më së paku punime të publikuara me 0.92 punime për profesor dhe fakulteti me më së shumti punime është Fakulteti i Shkencave Matematike-Natyrore me 8 punime për profesor”, tha ajo.

Rron Gjinovci nga ORCA gjendjen në Universitetin e Prishtinës e shpjegoi me historinë e Demokleut, i cili i ishte ankuar mbretit të tij, Dionisit, për pasurinë që ai kishte.

Kur mbreti i kishte ofruar Demokleut fronin e tij që të provonte se sa e vështirë është të jesh mbret ku mbi kokën e mbretit ishte një shpatë që varej nga një fije e hollë, floku i kalit që rrinte mbi kokë si kërcënim duke e matur se sa do të durohej presioni i rrezikut që ishte e varur mbi kokë kjo shpatë.

“Ne jemi nën shpatë dhe kjo shpatë është cilësia e UP-së. Universiteti më i madh dhe më i mirë, të paktën i vlerësuar formalisht kështu, në të gjithë hapësirën shqipfolëse. Universiteti, historia e të cilit është aq e lidhur me historinë e vendit tonë në kuptimin e zhvillimit të tij. Universiteti që është projeksioni i së ardhmes së shoqërisë sonë nga ku do të dalin të gjitha profesionet, nga juristë e deri tek neurokirurgët, nga institucioni i cili prej sot projekton cilësinë e jetës sonë në të ardhmen për 20, 30, 40 vjetët e ardhshme”, tha Gjinovci.

Në publikimin e këtij raporti ka marrë pjesë edhe Taulant Muka, mjek dhe shkencëtar nga Shqipëria, i cili ka treguar për hulumtimin e tij, kur kishte hasur në revista ku zëvendësministri i Arsimit në Shqipëri kishte bërë plagjiaturë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat