Avancimi i Kodit Civil lehtëson punën e avokatëve dhe gjyqtarëve

Kosova

Avancimi i Kodit Civil lehtëson punën e avokatëve dhe gjyqtarëve

Më: 31 tetor 2018 Në ora: 13:00
Përfaqësues të projektit të Bashkimit Evropian(BE) për “Kodin Civil- faza e dytë” dhe Oda e Avokatëve

Përfaqësues të projektit të Bashkimit Evropian(BE) për “Kodin Civil- faza e dytë” dhe Oda e Avokatëve sot kanë diskutuar për praktikat e përditshme ligjore të avokatëve në fushat e së drejtës civile.

Kodi Civil i ri, i propozuar, do të ketë ndikim në kapacitetet e Odës së Avokatëve dhe avokatëve të saj për çështjet e së drejtës civile dhe përmirësimin e koordinimit mes tyre.     

Kryetari i Odës së Avokatëve të Kosovës, Osman Havolli duke folur për përmbajtjen e Kodit Civil, i cili ruan dispozitat ekzistuese, si ligjin e pronësisë, ligjin e detyrimeve , ligjin e familjes dhe ligjin e trashëgimisë, theksoi se tashmë Kosova ka një Kod Civil unik, i cili do t’iu shërbejë profesionistëve në të ardhmen varësisht prej zhvillimeve shoqërore ekonomike dhe të organizimeve shtetërore, ku avokatët janë të detyruar t’i përshtaten. 

Havolli: Avancimi i Kodit Civil lehtëson punën e avokatëve

“Me kodifikimin e Kodit Civil, sigurisht që do t’iu lehtësohet puna e tyre (avokatëve), do të ketë ngritje të kapaciteteve profesionale, do të ketë profesionalizëm më të avancuar dhe nuk do të ketë paqartësi në aspektin e zbatimit dhe interpretimit të dispozitave ligjore të cilat lidhen me këtë fushë”, tha Havolli. 

Ndërsa, Beshir Islami gjyqtar në Gjykatën Supreme të Kosovës ka thënë se roli i Supremes ka qenë me i identifikuar problemet që ekzistojnë nëpër gjykata.

Islami: Përmbledhja e ligjeve në Kodin Civil, do t’ua lehtësojë punën edhe gjyqtarëve

“Ky kodifikim, duke marrë parasysh çështjen e drejtave pronësore  që prej instalimit të pushtetit të UNMIK-ut ka pasur juridiksione përjashtuese në dy ose tri lëmi të paktën marrje nga kompetenca e përgjithshme e gjyqësorit edhe i organizmit të ndryshëm, Kodi Civil dhe përmbledhja e këtyre ligjeve do t’ua lehtësojë punën edhe avokatëve edhe gjykatësve”, ka thënë Islami.

Avokati Azem Vllasi, ka kërkuar sqarime për çështjen e privatizimit të pronave shoqërore nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) dhe lëndët e shumta në Dhomën e Veçantë të Gjykatës Supreme për kontest pronësor. Sipas tij, AKP privatizon prona të cilat janë në kontest pronësor.

Vllasi: Procesi privatizimit ka shpërfaqur mjaft parregullsi pronësore

“Një procedurë kontestimore pranë Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme lidhur me një pronë, e cila e ka pasur statusin deri në vitin ’90 si pronë shoqërore, por e cila u mor prej dikujt në mënyrë problematike, dhe pronari i parë ngre padi te Dhoma e Veçantë, kjo e fundit lëshon një masë të përkohshme përderisa zhvillohet procedura  pa përfunduar procedura për atë kontest, Agjencia e Privatizimit  atë pronë e qet në shitje. Ky është defekti i madh qysh dikush merr pjesë në valën e privatizimit dhe del fitues”, ka thënë Vllasi. 

Por për çështjen privatizimit të pronave nga Agjencia Kosovare e Privatizimit, Haxhi Gashi dekan i Fakultetit të Drejtësisë dhe zëvendës udhëheqës i projektit të BE për “Kodin Civil- faza e dytë”, ka thënë se proceset e privatizimit në Kosovë ndodhin me ligje të veçanta, të cilat nuk kanë të bëjnë me Kodin Civil.

Gashi: Çështjet e privatizimit janë të rregulluar me ligje të veçanta

“Kodi Civil pretendon të rregullojë një marrëdhënie për afat shumë më të gjatë dhe është për natyrën ekskluzivisht private, por që nuk është shteti pjesë e ndonjë procedure administrative. Çështjet e  privatizimit janë të rregulluar me ligje të veçanta, të cilën nuk e prekin pjesën e Kodit Civil”, tha Gashi.

Edhe avokatë të tjerë shprehën interesim për praktikat ligjore të avokatëve në të drejtën civile.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat