Nis stina e ndotjes së ajrit, mjekët alarmojnë qeverinë

Kosova

Nis stina e ndotjes së ajrit, mjekët alarmojnë qeverinë

Më: 1 nëntor 2018 Në ora: 19:13
Foto ilustrim

Qytetarët e Kosovës çdo vit gjatë stinës së dimrit ballafaqohen me ndotje ekstreme të ajrit, e cila shpesh tejkalon mbi 300 herë mesataren e ndotjes së lejuar. Ndotja zakonisht nisë gjatë muajve tetor, nëntor e dhjetor. E si pasojë e ajrit të ndotur dëme të mëdha po shkaktohen në shëndetin e qytetarëve, por edhe telashe të shumta tek institucionet përkatëse shëndetësore. Në klinikat e QKUK’së, kanë filluar që të shfaqen pacientët e parë të cilëve u është komplikuar gjendja shëndetësore si pasojë e ndotjes.

Nëse ju zihet fryma, keni temperaturë, kollitje, këlbaz e temperaturë, ju menjëherë duhet të vizitoheni te mjeku. Këto simptoma i kanë shumë kosovarë ditëve të fundit. E të njëjtat sipas mjekëve të QKUK’së paraqiten kur vendi ballafaqohet me ndotje të ajrit.

Në klinikën e Pulmologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës tashmë kanë filluar që të shfaqen pacientët e parë të cilët po ankojnë nga ndotja e ajrit. Kështu ka deklaruar drejtoresha e klinikës së Pulmologjisë, Dr. Rukije Mehmeti,

“Ne kemi ndotje të ambientit shumë moti. Atë e ndiejnë  jo vetëm të sëmurit me sëmundje kronike obstruktive të mushkërive por edhe ata që nuk kanë fare sëmundje”, tregon doktoresha Rukije Mehmeti.

Ajo flet edhe për simptomat e kësaj sëmundjeje. “Në momentin kur ndotja është e shtuar tek të gjithë vërehen simptomat e para si skuqje e hundëve. Pra mund ta merrni me mend se çka do të thotë një ambient i tillë për të sëmurit me sëmundjet e mushkërive”.

Drejtues që merren me sëmundjet e mushkërive kanë bërë apel tek institucionet e Kosovës që të ndërmarrin masa që ta minimizojnë ndotjen e ajrit në mënyrë që situata e vitit të kaluar të mos përsëritet.

“Duhet të gjithë të marrin masa, prej Qeverisë e deri tek qytetarët të cilët duhet të mbjellin pemë  në mënyrë që t’i ndihmohet gjelbëremit të ambientit. Përveç ndotjes së ambientit nga qymyri qytetarët po e rrezikojnë edhe vet shëndetin e vet, sidomos aty ku ka fëmijë, ajo do të ndikojë edhe në mushkëritë e tyre.”, ka deklaruar tutje ajo.

E nga masat e ndotjes së ajrit të mërkurën kishte shkuar për kontroll te mjeku edhe Bekim Krasniqi. Ai tregon se vuan nga sëmundja e diabetit, porse kohën e fundit i janë paraqitur disa probleme me frymëmarrjen. Bekimi është i bindur se këto probleme po i vijnë nga ajri i ndotur.

Por nëse numri i pacientëve që kërkojnë ndihmë si pasojë e përkeqësimit nga ajri i ndotur rritet, atëherë ata vështirë se do të mund ta gjejnë trajtimin e duhur në Klinikën e Pulmologjisë. Kjo ngase kjo klinikë ballafaqohet me mungesa të mëdha si dhe nuk ka kapacitete të mjaftueshme, përfshirë edhe shtretërit në klinikë, për t’i pranuar të gjithë pacientët.

E autoritetet e Kosovës ende nuk kanë një pasqyrë të saktë rreth ndotësve më të mëdhenj të ajrit. Viteve të fundit, stina e dimrit për disa qytete të Kosovës, sidomos për Prishtinën, është karakterizuar me nivel të lartë dhe të rrezikshëm të ndotjes së ajrit.

Rezultatet rreth ndotësve që po hulumtohen nga një kompani japoneze në fushën e ajrit, do të dalin në fillim të muajit nëntor, thonë përfaqësuesve të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH). Por, pa këtë hulumtim institucionet thonë se ndotësit më të mëdhenj konsiderohet të jenë veturat e shumta, Korporata Energjetike e Kosovës, e cila prodhon energji përmes djegies së qymyrit, si dhe përdorimi i tij për ngrohje.

Për degradimin e mjedisit jetësor, Kosova ishte kritikuar edhe nga mekanizmat ndërkombëtarë. Në raportet e këtyre mekanizmave, Kosova ishte renditur në nivelin më të ulët të standardeve mjedisore në Ballkanin Perëndimor dhe në Evropë.

Të dhënat zyrtare tregojnë se në Kosovë qarkullojnë mbi 315 mijë vetura të regjistruara, ku mesatarja e vjetërsisë së veturave që qarkullojnë në Kosovë është 18 vjet.

Dimrin e kaluar cilësia e ajrit në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë, pati arritur në një nivel alarmant, duke tejkaluar të gjitha standardet e rekomanduara. Sipas të dhënave të Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit dhe Ambasadës Amerikane vlerat e PM 2.5 ishin mbi vlerat e lejuara.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat