Haradinaj: Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu i takojnë plejadës së heronjve të kombit tonë

Kosova

Haradinaj: Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu i takojnë plejadës së heronjve të kombit tonë

Më: 2 nëntor 2018 Në ora: 16:41
Ramush Haradinaj

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj ka bërë sot homazhe dhe ka vendosur kurora me lule në nderim të 29-vjetorit të rënies së heronjve të kombit, Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu.

“Sot kujtojmë dy heronj të veçantë, Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu. Edhe se i takojnë plejadës së heronjve të kombit tonë me plotë të drejtë, megjithatë janë të veçantë, sepse veprimtaria e tyre liridashëse është e një periudhe të mëhershme, e një momenti më të hershëm të ringritjes sonë për liri”,  tha Haradinaj, në ceremoninë e lansimit të pullës postare për Heronjtë Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu.

Duke kujtuar kohën kur këta heronj rezistuan për liri deri në flijim, kryeministri Haradinaj tha se Afrim Zhitia e Fahri Fazliu, janë të veçantë, sepse rrjedhin nga familje që kanë rrugë të gjatë në kontributin për liri, duke shprehur falënderimin që bijtë e tyre ia dhanë atdheut.

“Ajo që Fahriun e bën ndryshe, ishte një mendimtar i zoti. Veprat e tij të mbetura, të shkruara, flasin për nivelin e lartë të mendimit të tij, një ideolog i temave tona kombëtare të lirisë”, tha kryeministri Haradinaj, dhe shtoi se Qeveria e Kosovës është shtëpi e popullit dhe këtu duhet të ndihen më së miri familjarët e të rënëve për liri.

Kryeministri Haradinaj, tha po ashtu se është vepër e mirë lansimi i pullës postare nga Posta e Kosovës, në shenjë të përkujtimit të përjetshëm për dy heronjtë.

Sejdi Hoxha, kryeshef ekzekutiv i Postës së Kosovës, duke bërë prezantimin e pullës postare me portretet e heronjve Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu, tha se ndihet krenarë që Posta e Kosovës lëshon në qarkullim pullën postare që i dedikohet heronjve të kombit.

Familjarët e heronjve Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu vlerësuan këtë si ditë të veçantë për familjet e tyre, duke falënderuar Qeverinë dhe Postën e Kosovës për lansimin e pullës postare me portretin e Afrimit dhe Fahriut.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat