U vu gurthemeli i shkollës në Panorc të Malishevës

Kosova

U vu gurthemeli i shkollës në Panorc të Malishevës

Më: 7 nëntor 2018 Në ora: 16:01
Gurthemeli i shkollës në Panorc

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi dhe kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, kanë vënë sot gurthemelin e shkollës në fshatin Panorc të Malishevës.

Me këtë rast, ministri Bytyqi ka uruar nxënësit, mësimdhënësit dhe prindërit për fillimin e ndërtimit të kësaj shkolle të re, njëherësh ka përgëzuar kryetarin e Komunës së Malishevës për faktin se i ka dhënë prioritet arsimit, duke bërë investime në ndërtimin e shkollave të reja.

“Deri më tani Komuna e Malishevës ka bërë atë që pothuajse nuk e ka bërë asnjë komunë. Për një periudhë kaq të shkurtë të ndërtohen 15 shkolla është vërtetë për një falënderim të madh”, tha ministri Bytyqi dhe theksoi se kryetari do të ketë mbështetjen e vazhdueshme të MAShT për të ngritur cilësinë në shkollat e Malishevës.

Ministri, po ashtu kërkoi përkrahjen e prindërve, pasi që tha se që edukimi të jetë në nivelin e duhur, ata kanë rol të rëndësishëm dhe i ftoi prindërit ta përkrahin menaxhmentin e shkollës dhe shkollën në përgjithësi në mënyrë që bashkarisht të ngrisim cilësinë në arsim.

“Nëse të gjithë i kryejmë përgjegjësitë si duhet, nuk do të mungojë suksesi dhe do të sigurojmë të ardhme të mirë për fëmijët tanë”, tha  ministri Bytyqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat