Qeveria ende se ka paguar 53 milionshin për Bechtel & Enka-n

Kosova

Qeveria ende se ka paguar 53 milionshin për Bechtel & Enka-n

Më: 10 nëntor 2018 Në ora: 19:13
Ilustrim

Kanë kaluar mbi 5 muaj prej që Qeveria e Kosovës e bëri publik dhe mori vendim që t’i paguaj kompanisë “Bechtel&Enka” 53 milionë euro shtesë për autostradën ‘Arbën Xhaferi’ – Prishtinë – Hani i Elezit.

Mirëpo këto para shtesë të aneks-kontratës për ndërtimin e autostradës “Arbën Xhaferi” ende nuk janë derdhur në buxhetin e këtij konsorciumi, ndërsa në planifikim buxhetor për vitin 2019 është paraparë pagesa e kësaj ‘gjobe’.

Më 5 qershor të këtij viti, Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj tha se kompania në fjalë ka kërkuar 63 milionë euro për shkak se ishte zgjatur afati i përfundimit të punëve, por që pas diskutimeve kishin arritur ta ulin këtë shifër për 10 milionë euro, në 53 milionë.

Kjo ishte bërë çështje diskutimi në rrafsh nacional në fillim të qershorit të këtij viti, mirëpo Gazeta Jeta në Kosovë kishte gjetur që Qeveria Haradinaj në fakt kishte nënshkruar aneks-kontratën vetëm 18 ditë pas ardhjes në pushtet.

Eset Berisha, këshilltar ministrit të Infrastrukturës, Pal Lekaj e ka konfirmuar për kallxo.com që ende nuk kanë filluar të paguajnë këtë shumë.

“Nuk ka filluar të bëhet pagesa për zgjatje të afatit të kontratës për ndërtimin e autoudhës “Arben Xhaferi”, thuhet në përgjigjen e Berishës për Gazetën Jeta në Kosovë.

Sipas tij, kjo pagesë do të bëhet deri në qershor të 2019 dhe do të ndahen në 12 këste.

“Pagesa për zgjatje të kontratës është paraparë të bëhet në 12 këste të barabarta. Kësti i fundit do të paguhet në muajin qershor 2019”, thuhet tutje në përgjigjen e këshilltarit Eset Berisha.

Vendimi i Qeverisë për të paguar 53 milionë euro shtesë për konzorciumin “Bechtel&Enka” ia kalonte barrën Ministrisë së Financave që të bënte alokimin e këtyre parave në buxhet të Ministrisë së Infrastrukturës.

Në draftbuxhetin për vitin 2019, Ministria e Financave ia ka ndarë ministrisë së Pal Lekajt 51 milionë e 500 mijë euro për autostradën “Prishtinë – Hani i Elezit”

Kjo vërehet edhe në projektbuxhetin e 2019 të miratuar para pak ditësh në Qeverinë e Kosovës.

31 milionë e 449 mijë e 500 euro do të merren nga Buxheti i Kosovës ndërsa 20 milionë e 50 mijë e 500 euro tjera do të merren nga të hyrat e Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

Në anën tjetër këtë e kanë konfirmuar edhe nga Ministria e Financave.

“Kërkesat nga Ministria e Infrastrukturës për investime në autostradë për vitin 2019 kanë qenë 51.5 milionë euro dhe në përputhshmëri me kërkesat e kësaj ministrie janë ndarë mjetet buxhetore dhe janë reflektuar edhe në Buxhetin e vitit 2019”, thuhet në përgjigjet e zyrës për informim të Ministrisë së Financave.

Madje, në lidhje me këtë gjobë, vetëm dy ditë pas vendimit të Qeverisë, hetime kishte nisur edhe Prokuroria e Shtetit.

Ata e kishin konfirmuar për kallxo.com se janë duke mbledhur të dhëna lidhur me ndarjen e 53 milionë eurove për Konsorciumin “Bechtel & Enka” nga Qeveria e Kosovës.

Gazeta Jeta në Kosovë kishte raportuar ekskluzivisht për arsyet se pse kishte ardhur gjoba prej 53 milionëve dhe transaksionet që do të paguheshin.

“Bechtel&Enka” kishte kërkuar 16 milionë e 600 mijë euro për dëmin indirekt apo shpenzimet për personelin menaxhues që kanë administruar me projektin.

Ndërsa, 36 milionë e 300 mijë euro “Bechtel & Enka” i ka kërkuar Qeverisë së Kosovës duke u bazuar në përdorshmërinë e pajisjeve.

Kontrata fillestare, në bazë të planit dinamik fillestar, do t’i kushtonte shtetit 608 milionë euro (pas rritjes së TVSH-së nga 16 në 18%).

Gjatësia totale e autostradës është 65.56 km, numëron 19 ura, 19 mbikalime, 18 nënkalime.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat