Studentët e Kosovës kujtuan luftën, paqen dhe pajtimin franko-gjerman

Kosova

Studentët e Kosovës kujtuan luftën, paqen dhe pajtimin franko-gjerman

Më: 14 nëntor 2018 Në ora: 14:55
Të dy ambasadorët kanë vazhduar me një bashkëbisedim me studentët

Me rastin e 100-vjetorit të përfundimit të Luftës së Parë Botërore, ambasadori francez në Kosovë, Didier Chabert dhe ai gjerman, Christian Heldt, folën para studentëve nga Kosova për përvojat e pajtimit franko-gjerman, ku u tha se pajtimi i ka bërë më të forta këto dy shtete.

Ambasadori Chabert tha se urrejtja mes francezëve dhe gjermanëve ishte mësuar edhe nëpër shkolla. Ai tha se si pasojë e keqinterpretimit të Luftës së Parë Botërore, kishe ardhur edhe Lufta e Dytë.

Chabert: Pajtimi franko-gjerman ka qenë pajtim i popujve

Pajtimi franko gjerman nuk ka qenë vetëm pajtim i elitave, por edhe pajtim i popujve falë këtyre iniciativave konkrete që janë shumë inovativë për epokën sikurse Zyra për Rininë franko-gjermane, dhe tani të gjithë po punojnë në mënyrë që të ketë shkëmbime në mes të të rinjve francezë dhe atyre gjermanë që të shkojnë në vende të ndryshme. Këta fëmijë kanë mësuar ta njohin njëri-tjetrin, ta njohin kulturën e popullit tjetër dhe shoqëria e ka përcjellë këtë iniciativë politike, këtë vullnet politik nga Trakati i Elizesë”, ka thënë Chabert.

Ndërsa ambasadori gjerman në Kosovë, Christian Heldt, tregoi se për një kohë të gjatë kishte punuar në Francë pranë ministrave të jashtëm francezë dhe tha se kjo i kishte ndihmuar që të hulumtojë më shumë në kulturën e historinë e tyre. Ai po ashtu tha historia shpesh nuk është neutrale, e kjo përbën edhe një konflikt shtesë për shtetet.

Heldt: Historia jo gjithmonë është neutrale

"Më 27 janar 2005 ishim në Aushvic për të shënuar 60-vjetorin e çlirimit të Aushvicit. Kardinali i Parisit e gjysma e familjes së tij ishin vrarë nga gjermanët në Aushvic, dhe unë po qëndroja së bashku me ta në të njëjtin vend. Këto histori iu rrëqethin dhe ndiheni të lumtur që jetoni në kohën e sotme, në një kontekst komplet të ndryshëm dhe reflektoni për historinë që jo gjithmonë është neutral, por është diçka që shpesh varet nga ajo se si e perceptoni ju apo shoqëria”, ka thënë Heldt.

Pas konferencës, të dy ambasadorët kanë vazhduar me një bashkëbisedim me studentët.

Ndryshe, gjatë këtyre ditëve në Kosovë janë mbajtur edhe aktivitete tjera në përkujtim të 100-vjetorit të përfundimit të Luftës së Parë Botërore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat