Industria e veshmbathjes mësyn tregut evropian

Kosova

Industria e veshmbathjes mësyn tregut evropian

Më: 14 nëntor 2018 Në ora: 16:38
Ilustrim

Prodhues nga Kosova e investitorë të huaj janë takuar në konventën e Industrisë së Veshmbathjeve të Kosovës, e cila po shihet si një mundësi për krijimin e bashkëpunimeve të reja dhe eksportimin e prodhimeve vendore.

Për të krijuar një bashkëpunim të tillë dhe për të ndihmuar njëkohësisht ekonominë kosovare, biznesmeni Ramush Hashani, i cili vepron në Francë ka zgjedhur vendlindjen e tij për të prodhuar brendin e tij të veshmbathjeve sportive.

E konventën e sotme, Hashani po e shfrytëzon për të vendosur kontakte me prodhuesit nga Kosova, me qëllim që produktet e tij të prodhohen në Kosovë në mënyrë që më pas të eksportohen në vendet e tjera.

Hashani: Synoj të prodhoj në Kosovë e të importoj në Francë

“Ne jemi në sektorin e veshmbathjeve sportive qe sa vite. Unë personalisht prej 2002-ës. Deri tani kemi përfaqësuar brende, kemi shitur produkte të firmave të njohura si ‘Nike’, ‘Adidas’ e të tjera. Tash projektin e kemi me e qit një brend tonin. Jam në kontakt me disa persona këtu që prodhojnë këtu. Masi jam i Kosovës, kisha pas qef, pasi që ka kualitet dhe cilësi, pse jo, me prodhu këtu e me importu në Francë, po dhe në Evropë diku tjetër, në Gjermani, Zvicër, Angli. Pse jo edhe në Amerikë e Kanada, sepse tregun e kemi, e dimë se qysh shkojnë punët”, u shpreh ai.

Mundësinë për t’i takuar në një vend disa prodhues, Hashani e quan të mrekullueshme.

Për të njëjtin qëllim, në Kosovë ka ardhur edhe francezi Marc Pomarat, i cili  është shprehur shumë optimist se do të arrijë bashkëpunim me prodhues vendor.

Pomarat: Besoj se kemi me avancu shumë mirë

“Tash e sa vite ne jemi në sektorin e veshmbathjeve dhe importojmë prej Bangladeshit, Turqisë dhe vendeve të tjera. Mbasi u mbajt kjo konventë na u duk më e arsyeshme me ardhë dhe me pa se çfarë bashkëpunimi mundemi me pas me kolegët e Kosovës... Jemi në kontakte shumë të mira me disa prodhues dhe besoj se kemi me avancu shumë mirë”, tha Pomarat.

Krahas investitorëve potencial që kishin ardhur nga jashtë, edhe përfaqësues të kompanive vendore kishin interesat e tyre për zgjerim të biznesit.

Kështu bashkëpronarja e kompanisë “In Design”, Veronika Bajçinovci, thotë se po kërkojnë treg të jashtëm për brendin e tyre “Infact”, derisa bënë të ditur se për këtë janë duke negociuar me tri vende evropiane.

Sipas saj, në Kosovë nuk është lehtë të prodhosh pasi që kompanitë shpeshherë prodhojnë edhe imitime, në vend se të kenë brendet e tyre.

Bajçinovci: Shpresojmë që konventa e sivjetme të jetë më frytdhënëse

“Prej kësaj konvente të sivjetme po presim më shumë se prej të vjetshmit. Vjet kemi pritur shumë më shumë, por sivjet po presim hala më shumë. Besojmë se herën e tretë e të katërt do të jetë organizimi më adekuat për neve si prodhues, ndoshta me i marr parasysh krejt produktet e prodhuesve, me ditë me i dallu krejt produktet e prodhuesve, për arsye se kur dallohen produktet edhe investitori vjen shumë më lehtë tek ne”, tha ajo.

Dizajneri i brendit “Infabric” të kompanisë në fjalë, Valon Keqekolla tregon rëndësinë që ka puna e një dizajneri në ofrimin e produkteve sa më unike.

Keqekolla: Ne gjithçka e nisim nga zero

“Na gjithçka që bëjmë është se nisim prej zeros. E kemi për shembull shtypin, patentën, gjithçka krijohet tek na. Çka po shihni këtu, është diçka unike që e kam bërë, që nuk është diçka e marrë diku, që  është diçka e jona”, u shpreh ai.

Sipas tij, është e domosdoshme që të gjitha bizneset prodhuese të kenë dizajnerin e brendshëm, në mënyrë që të kenë produktet e tyre unike.

Përfaqësuesja e KAMA-s, Lorika Tahiri, bëri të ditur se këtë vit janë 6 delegacione të cilat kanë ardhur për të parë nga afër produktet e prodhuara në Kosovë, si dhe të shqyrtojnë mundësitë për të bashkëpunuar.

Në një prononcim për KosovaPress, Tahiri ka folur edhe për rëndësinë e kësaj konvente, ku ka thënë se si e tillë, kjo e fundit ka dhënë rezultate konkrete.

Tahiri: Shpresojmë për përkrahje më të madhe nga institucionet publike

“Shumica e kompanive janë të vitit të kaluar, të cilat kanë ngritur kapacitetet e tyre, kanë filluar të eksportojnë. Dhe, kemi kompanitë e reja që kanë shumë, shumë potencial, realisht që shesin ndoshta vetëm për tregun e jashtëm, dhe ato kompani që kanë bahskëpunim me rajonin. Kështu që sivjet, realisht si industri, qëndrojmë shumë mirë, vetëm se tash shpresojmë për përkrahje më të madhe nga institucionet publike”, u shpreh ajo.

E mbështetje për thellimin e bashkëpunimit në mes të kompanive prodhuese nga Kosova me investitorë të huaj ka dhënë kryeministri Ramush Haradinaj.

Ai ka thënë sot se Kosova ka krijuar infrastrukturë ligjore për t’i transferuar prodhimet në tregjet e huaja.

Ai ka stimuluar prodhuesit vendorë dhe investitorët e huaj që të prodhojnë në Kosovë, duke numëruar lehtësirat që ka Kosova për ata të cilët investojnë në vend, si: zero taksë në dividendë; tatimi në fitim është 10 për qind, më i vogli në regjion; tatimi në paga nuk shkon mbi 10 për qind; është taksë zero me shtetet e EU-së; transporti është më i liri i mundshëm dhe, nga e gjithë kjo është e sigurt që nga një produkt që prodhohet në Kosovë, do të mund të dalë dhe hyjë në treg të BE-së 30 deri në 40 për qind më lirë se një produkt i prodhuar diku tjetër në Evropë.

Ndryshe, Konventa e Veshmbathjeve të Kosovës organizohet çdo vit për t’i promovuar prodhuesit e veshmbathjeve të Kosovës dhe për ta mbështetur rritjen e industrisë së veshmbathjeve në Kosovë. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat