Mungesë e pedagogëve në shkollat fillore dhe të mesme në Kosovë

Kosova

Mungesë e pedagogëve në shkollat fillore dhe të mesme në Kosovë

Më: 15 nëntor 2018 Në ora: 19:57
Mungesa e problemit të pedagogëve në shkolla ka bërë që Instituti Kosovar i Pedagogëve të Rinj të organizojë sot një debat lidhur me këtë çështje.

Ndonëse pedagogët kanë rol të rëndësishëm në përkrahjen e institucioneve, për hartimin e planit zhvillimor të shkollës dhe hartimin e plan-programeve të mësimdhënësve, aktualisht në Kosovë, numri i pedagogëve dhe psikologëve të angazhuar në shkollat fillore dhe të mesme nuk arrin as në 100.

Mungesa e problemit të pedagogëve në shkolla ka bërë që Instituti Kosovar i Pedagogëve të Rinj të organizojë sot një debat lidhur me këtë çështje.

Studentë  të pedagogjisë shprehën shqetësimin për të ardhmen e tyre dhe gjetjen e vendeve të punës, ndërkohë që drejtorë të shkollave fillore e të mesme në Prishtinë, dhe profesorë të Fakultetit Edukimit theksuan nevojën e menjëhershme për numër më të madh të pedagogëve në shkolla.

Marigona Kelmendi, përfaqësuese e Institutit Kosovar të Pedagogëve të Rinj, në emër të studentëve të pedagogjisë, tha se në Kosovë ka nevojë për vetëdijesim sa i përket rëndësisë së pedagogëve nëpër shkolla.

Kelmendi: Studentët e pedagogjisë janë të shqetësuar, nuk ka vende pune për ta

“Ndjehemi të shqetësuar sepse pas përfundimit të studimeve çka? Çka do të bëjmë ne si studentë? Është shumë interesante se studentët e pedagogjisë e ndjenjë atë që e kam ndje edhe unë pikërisht sa herë kam shkuar në çfarëdo lloj shkolle, pyetja e parë që më është bërë, pse e ke zgjedh pedagogjinë. Madje, ka pas prej udhëheqësve të shkollave që më kanë pyetur në cilin vit je. Kur kam qenë në vitin e parë, më kanë thënë shumë mirë, ndërroje drejtimin, paske kohë, unë ende nuk e kisha idenë se në çfarë shkalle të vetëdijesimit ose opinione të tjera kanë populli ynë për pedagogë”, tha ajo.

Pjesë e panelit ishte edhe Hatmane Haradinaj, drejtoreshë e “Ismail Qemalit” në Prishtinë, shkollë kjo që numëron 3 mijë nxënës, por që nuk i ka dy pedagogë të punësuar.

Haradinaj: Shkolla duhet t’i ketë së paku dy pedagogë

“Po, shpresoj që është një iniciativë ndoshta do të ndodhë diçka, dhe asnjë shkollë, qoftë me 3 mijë nxënës, qoftë 500, qoftë 900, të mos jetë pa pedagog. Ne kemi përvoja me një shkollë të Beratit që jemi të binjakëzuar si shkollë. Është shkollë me 700 nxënës,  ka pedagogun, psikologun, zëvendësdrejtorin.  Një shkollë që është me 3 mijë nxënës, e ka një zëvendësdrejtor, edhe një drejtor, po flas për shkollën time, që nuk mund të funksionojë. Ne nuk kryejmë punë cilësie. Duhet të jenë dy pedagogë së paku, jo një, por dy, me qenë dy zëvendësdrejtorë dhe atëherë kush është fajtor, fëmijët po na i lënë fajtorë”, tha Haradinaj.

Ajo theksoi nevojën e punëtorëve social në shkolla, ndërsa shtoi se nuk mund të ketë cilësi në mësim nëse nuk ka investime në resurse intelektuale.

Haradinaj: Jemi shumë prapa me zbatim të kurrikulës

“Në disa gjëra jam e zhgënjyer, dashtë Zoti, zëri im të shkojë atje ku duhet, shkollat më mos të mbesin pa pedagogë, shkollat tona t’i kenë edhe punëtorët social, t’i kenë organet. Sepse, mos të kërkojnë cilësi, cilësi pa resurse intelektuale nuk ka, ne kemi resurse materiale nuk jemi keq, krahasuar me Shqipërinë. Ata nuk kanë resurse materiale, por kanë resurse intelektuale. Ata hyrën në kurrikulë pas neve, por u avancuan shumë më përpara. Ata sot i kanë testet e harmonizuara, i kanë të rregulluara. Ministria e tyre e Arsimit i mblodhi të gjithë resurset intelektuale, hartoi tekstet, bëri udhëzuesit dhe filloi. Ne sot që katër-pesë vjet sa ka filluar kurrikula, flasim përmendësh për kurrikulë. Ne shkatërruam mësimdhënësit dhe fëmijët, nuk aplikohet kurrikula përmendësh”, tha ajo.

Ndërsa Naser Kelmendi, profesor në fakultetin e Edukimit tha se pedagogu ka rol të rëndësishëm në përkrahjen e institucioneve, për hartimin e planit zhvillimor të shkollës dhe hartimin e planeve dhe programeve të mësimdhënësve.

Zabeli: Shkollat kanë nevojë për pedagogë

“Është në rritje, edhe pse nuk kemi saktë statistika, braktisja e shkollimit nga ana e nxënësve. Jemi në një kohë kur kërkohet zbatim i politikave gjithëpërfshirëse në arsim dhe, derisa e nisëm këtë debat, drejtoresha tha se janë 60 nxënës me nevoja të veçanta që nuk kanë ndonjë mbështetje, janë këto argumente të fuqishme që shtrojnë nevojat e pedagogut të shkollës. Baza ligjore ekziston, dokumentet pedagogjike ekzistojnë, e promovojnë punën e pedagogut dhe bashkëpunëtoreve pa dashtë me i anashkalua edhe të tjerët, sepse duke u nisë prej parimeve në kurrikulë për sigurim të cilësisë, gjithëpërfshirje, për zhvillim profesional të mësimdhënësve e të gjitha këto në mënyrë indirekte na thonë na duhet një njëri, dy ,tre brenda një shkolle”, tha ai.

Ndryshe, aktualisht në Kosovë, numri i pedagogëve dhe psikologëve të angazhuar në shkollat fillore dhe të mesme nuk arrin as në 100.  MASHT ka thënë se në bashkëpunim me drejtoritë komunale planifikojnë që deri në vitin 2021 të punësojnë 225 psikologë dhe pedagogë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat