Shtrenjtimi i bukës, i panevojshëm

Kosova

Shtrenjtimi i bukës, i panevojshëm

Më: 20 nëntor 2018 Në ora: 15:34
Foto ilustrim

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala gjatë raportimit të tij para Komisionit Parlamentar për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal, ngritjen e çmimit të bukës e ka konsideruar si veprim jo të ligjshëm.

Ai ka shtuar se shtrenjtimi i çmimit të bukës është koordinuar nga disa shoqëri tregtare në disa komuna si ajo e Prizrenit dhe Kaçanikut.

Shala: Ngritja e çmimit të bukës jo e ligjshme, dhe e panevojshme

“Në të dhënat që ne i kemi si ministri e Tregtisë dhe Industrisë dhe me të cilat unë jam njoftuar me to, Republika e Kosovës tashmë mbulon 80 për qind nevojat e saj me grurë sipas të dhënave të cilat i kemi nga Ministria e Bujqësisë. Por, përkundër kësaj mundësia që ta kontrollojmë një ngritje jo të ligjshme, apo jo të nevojshme të çmimit në këtë rast të miellit, bukës, autoriteti më kompetent për këtë çështje është Autoriteti Kosovar i Konkurrencës, dhe kam kërkuar nga ta të fillojnë ta ekzekutojnë mandatin, sepse nuk besoj që ka arsye për rritje të çmimit duke i ditur edhe rezervat që i kemi, por si duket kjo është e koordinuar në disa regjione të Kosovës nga shoqëritë tregtare”, ka thënë Shala.

Taksën prej 10 për qind për produktet serbe e ka konsideruar të pamjaftueshme anëtari i komisionit nga PSD-ja, Dardan Sejdiu, i cili mbështeti qëndrimin e ministrit Shala se ngritja e çmimeve të bukës është bërë përmes koordinimit të shoqërive tregtare.

Sejdiu ka këshilluar ministrin Shala të fokusohen në luftimin e disbalancit tregtar dhe sa më shpejt të miratohet Ligji për tregtinë e brendshme dhe atë të jashtme.

Sejdiu: Sjellja e furrtarëve sanksionohet me ligj

“Sipas informacioneve në media, kjo ka qenë marrëveshje e furrtarëve më shumë se sa çdo gjë tjetër, pra është sjellje e cila edhe me ligj sanksionohet, pra sot i kam bërë shkresë si nënkryetar që të nga informoj për këtë çështje dhe kërkoj nga ju ministër që gjithashtu të njëjtën të veproni, sepse ky është keqpërdorim i një rrethane, e cila ka efekt zinxhir, pasi stimulon sjellje të tillë”, ka thënë Sejdiu.

Hykmete Bajrami nga Lidhja Demokratike e Kosovës tha se ngritja e çmimit të bukës ka ardhur si pasojë e shtrenjtimit të grurit.

Bajrami: Shtrenjtimi i bukës – pasojë e taksës për grurë

“Çmimi i bukës që u përmend këtu dhe taksa  e miellit me lejoni t’iu njoftoj kolegë se taksë në miell ka pasur prej fillimit të mandatit të kësaj qeverie, një vendim të tillë unë nuk kam refuzuar me e fuqizuar në atë kohë për shkak se kam kërkuar që e njëjta taksë të vendoset edhe në grurë. Domethënë, ky shtrenjtim i bukës tash ka ardhur për shkak të taksës, e cila është vendosur edhe në grurë“, ka thënë ajo. 

Ajo ndërkaq përmendi garancinë bankare për projektin e Brezovicës, ku sipas tyre kthimi prapa do të paraqesë rrezik për Kosovën dhe çështja mund të dërgohet në arbitrazh. E në këtë pikë me Bajramin u pajtua edhe deputeti i PDK-së, Memli Krasniqi.

E në përgjigjen e tij ministri Shala tha se kjo çështje është e palejueshme dhe është e mbyllur.

Shala: Kjo çështje është e mbyllur

“Në momentin që kam shkuar në ministri vetëm kam dëgjuar se ka qenë një kërkesë e kompanisë për t’u liruar nga kjo garanci, do të thotë kjo është jo e paligjshme, por është e palejueshme, e cila është vendosur për këtë punë dhe as që mendoj. Faleminderit që  e hapët si shqetësim, por kjo është e mbyllur”, ka thënë Shala.

Deputetja Bajrami ka pyetur ministrin e MTI-së pse nuk ka pasur reagim nga ky institucion për rangimin e Kosovës nga Banka Botërore për të bërit biznes, të cilën ministri Shala e arsyetoi jo si rezultat të mos punës së institucioneve, por pasi vendet tjera kanë avancuar më tepër në këtë drejtim.

Pyetje për ministrin e Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala pati edhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca i cili u shpreh se gjatë kësaj qeverisje nuk ka pasur strategji rreth balancimit tregtar të importeve dhe eksporteve.

Konjufca: Qeveria nuk ka plan për me e rrit eksportin

“Nuk kam parë kurrfarë  strategjie të qartë qysh me i zëvendësuar importet që Kosova i ka të shumta edhe ky bilanc tregtar negativ është faktikisht 90 për qind me 10 në favor të importeve. Nuk po shoh që Qeveria e Kosovës ka plan të qartë se si të kthehet ky bilanc në favor të importeve dhe të përmbysë këtë relacion i cili është duke e ngulfatur ekonominë e Kosovës. Krejt çka po shoh prej Qeverisë së Kosovës është qysh shpreson buxheti të rritet më shumë vitin e ardhshëm prej importeve”, ka thënë ai.

Ministri i MTI-së Endrit Shala gjatë raportimit të tij në pyetjen e deputetët së LDK-së, Hykmete Bajrami foli edhe për shkarkimin e sekretarit të kësaj ministrie nga ish-ministri, Bajram Hasani.

Shala: Ka qenë një suspendim

“Ministri i kaluar nuk i ka përcjellë edhe ato fazat, të cilat duhet kur e ki një vërejtje ose suspendimin e sekretarit të shkojë në këshillin për emërtime të larta ka qenë vetëm një suspendim dhe e gjitha ka mbetur aty. Aktualisht nuk dua të flasë për ato të cilat ish-ministri, kolegu im partiak, i ka folur për personin në fjalë. Unë deri më tash jam i kënaqur me punën e sekretarit të përgjithshëm të ministrisë”,  tha ministri Shala.

E për shkarkimin e ish ministrit të Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani, ministria aktual i këtij dikasteri tha se ky ka qenë vendim partiak.

Gjatë këtij raportimit për realizimin e planit të punës së këtij viti dhe  vitin e ardhshëm, ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala para Komisionit për Zhvillim Ekonomik tha se vendimi për ndalesën e shitjes së pijeve dhe duhanit për personat nën 18-vjeç është duke u respektuar në mënyrë të kënaqshme.

Shala tutje tha se inspektimi për eliminimin e lodrat që nuk i plotësojnë standardet evropiane do ta vazhdojë dhe së shpejti me inspektoratin e arsimit do fillojnë kontrollet e lodrave në çerdhe.

Sipas tij, deri më tani Dogana e Kosovës i ka konfiskuar 18 kontingjente të lodrave që dyshohet se nuk i plotësojnë standardet e BE-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat