Matoshi në takimin e ministrave të Ballkanit Perëndimor, kërkon fonde për mjedisin

Kosova

Matoshi në takimin e ministrave të Ballkanit Perëndimor, kërkon fonde për mjedisin

Më: 21 nëntor 2018 Në ora: 16:06
Fatmir Matoshi

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor Fatmir Matoshi, në takimin e tretë ministror për Mjedis dhe Ndryshime Klimatike të Ballkanit Perëndimor në Shkup, ka prezantuar sfidat me të cilat po ballafaqohet shteti jonë në fushën e mjedisit dhe ndryshimeve klimatike si dhe projektet që po realizohen.

Ai tha se pavarësisht se Kosova ende nuk e ka nënshkruar Konventën Kuadër të OKB-së për Ndryshimet Klimatike, Protokollin e Kiotos dhe  Marrëveshjen e Parisit, mbetet e vendosur që mbrojtja e mjedisit të orientohet në përputhje me strategjitë kryesore të Zhvillimit Rajonal të Evropës Juglindore.

Matoshi po ashtu prezantoi idenë për krijimin e një programi rajonal për menaxhimin e burimeve ujore që sipas tij është një hap i domosdoshëm duke pasur parasysh efektet e ndryshimeve klimatike në të gjithë rajonin.

“Kjo është arsyeja pse ne mbështesim fuqishëm idenë për të përfshirë menaxhimin e ujërave dhe të pellgjeve ujore në agjendën e rrjetit të Ballkanit Perëndimor”, tha ai. 

Ministri Matoshi po ashtu kërkoi përkrahjen e vendeve tjera  që Kosova të bëhet anëtare e Mekanizmave Financiarë Global që mbështesin sektorin e mjedisit dhe ndryshimet klimatike, për zbatimin e rekomandimeve të Marrëveshjes së Parisit dhe Deklaratës së Bonit, dhe arritjes së objektivit për emetimet zero.

“Për fat të keq, buxheti i Kosovës është i kufizuar dhe nuk mund të mbështesë në masë të mjaftueshme zbatimin e legjislacionit të mjedisit”, u shpreh ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat