Tragjedia e dy policëve që ranë në Lepenc, familjarët ende nuk i dinë rrethanat e vdekjes së tyre

Kosova

Tragjedia e dy policëve që ranë në Lepenc, familjarët ende nuk i dinë rrethanat e vdekjes së tyre

Më: 22 nëntor 2018 Në ora: 19:29
Momenti kur policët janë nxjerrë nga lumi

Kanë kaluar shtatë muaj qëkur dy pjesëtarët e Policisë së Kosovës, Malësor Dashi e Armend Trena, humbën jetën në një aksident komunikacioni në magjistralen Kaçanik-Han i Elezit. Vetura e tyre zyrtare ra në lumin Lepenc. E nga aty, më nuk u nxorën të gjallë dy djelmoshat e policisë së Kosovës. Por familjet e këtyre dy policëve ende nuk e dinë se si ka ndodhur e gjithë ngjarja. Atyre, as pas shtatë muajve nuk u ka shkuar raporti përfundimtar. Nga prokuroria thonë se hetimet për këtë punë kanë përfunduar. Media, ju sjell rrëfimet e dy familjeve nga Kaçaniku, asaj Dashi si dhe Trena rreth kësaj ngjarjeje të rëndë

Në moshën 18-vjevarë kishte marrë mbi supe misionin për t’i dalë në mbrojtje rendit dhe ligjit në Kosovë. Armend Trena, sa ishte 18-vjeçar u bë polic. Për ta vazhduar këtë punë deri në prillin e këtij viti kur në mënyrë tragjike e humbi jetën derisa ishte duke e ushtruar profesionin e tij bashkë me Malësor Dashin, koleg i tij po ashtu polic.

Por edhe pas gati shtatë muajve nga ky aksident tragjik, familjet e dy policëve nuk janë njoftuar zyrtarisht nga ana e organeve të hetuesisë kosovare rreth mënyrës se si vdiqën familjarët, derisa ishin duke e kryer punën e tyre si polic gjatë mesnatës së 29 prillit të këtij viti.

Express ka qëndruar në familjen e Armendit në fshatin Begracë të Kaçanikut. Familja e të ndjerit me dhimbje deklarojnë se ende nuk janë njoftuar nga ana e prokurorisë rreth raportit përfundimtar të hetimeve mbi vdekjen e djalit të tyre.

Babai i Armendit, Mifaili, tregon rreth asaj se çka din ai dhe familja e tij për vdekjen e djalit.

“Ne ende nuk kemi marrë asnjë rezultat rreth asaj se çka ka ndodhë atë natë. Cila ka qenë arsyeja e aksidentit. Ne vetëm po kërkojmë që ta dimë arsyen se djalin më nuk mundemi ta kthejmë”, tregon prindi i zyrtarit policor të ndjerë, Armendit.

Ai me urtësi flet për djalin e tij të ndjerë. Armendi, sipas familjes kishte qenë njëri ndër zyrtarët policorë më të suksesshëm.

Për shtat vite ai kishte mbajtur të veshur uniformen e pjesëtarit të policisë së Kosovës.

“Jo që e kam pasur djal. Po ai ka qenë me unik. Të gjitha të mirat që mund t’i ketë një njeri ai i ka pasur I urtë, inteligjent. Ka qenë i diplomuar në Shkencat Politike”, rrëfen me emocione për djalin e ndjerë, Mefail Trena.

 Raport se si u vdiq djali, nuk ka marrë as familja e Malësor Dashi nga fshati Stagovë e Kaçanikut. Aty i thanë Expressit se nuk kanë pranuar asnjë letër zyrtare prej shtetit ku shpjegohet se s’i u vdiq familjari i tyre.

“Jo, nuk ka ardhë asgjë. Sa e di unë letët,e as dokumente familja nuk ka marrë”, tregoi për Express, një familjarë i Malësorit, djalit të vetëm të familjes Dashi i cili gjeti vdekjen në lumin Lepenc gjatë 29 prillit të këtij viti.

Por, për gjithë këtë ngjarje, prokuroria e shtetit, deklaron se hetimet janë mbyllur.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Ferizajt, Shukri Jashari, ka treguar arsyet se përse nuk u kanë dërguar shkresë zyrtare familjes ku tregohet mbi raportin përfundimtar rreth hetimeve në atë se cka qoi në vdekjen e Armendit dhe Malësorit.

Ai ka thënë se ky rast ka qenë vetëaksident.

“Rreth këtij rasti të gjitha hetimet kanë përfunduar. Para dy muajve është mbyllur rasti. Përfundimi i hetimeve ka qenë se nuk ka pasur vepër penale, por që rasti ka qenë vete aksident. Në bazë të ekspertizës së komunikacionit, autopsisë e të gjithave ka dal që vet aksident”, tregon kryeprokurori.

Sipas tij, ekspertiza e komunikacionit ka konstatuar që vetura ka qenë në gjendje të rregullt.

“....në bazë të ekspertizës, aksidenti ka ardhur prej pakujdesisë së vozitësit. Këta në momentin tragjik kanë qenë duke vozitur në 40 km në orë. Por në momentin kur vozitësi ka dashur që të kalojë nga ana e djathë në korsin tjetër për shkak të pengesës aty e ka humbë drejtimin. Se si e ka humbë drejtimin aty mbetet enigmë”, thotë Jashari.

Por, Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Ferizajt, Shukri Jashari, deklaroi se nuk do t’i dërgojnë shkresë zyrtare familjeve rreth hetimeve. Kjo ngase sipas tij, nuk praktikohet nga ana e prokurorisë së shteti.

“Zyrtarisht ne nuk i njoftojmë, me raport përfundimtar. Zyrtarisht ne nuk i kemi njoftu, dhe nuk i njoftojmë. Ata janë të njoftuar në rrugë të tjera’, deklaroi ai.

Dy policët, Malësor Dashi e Armend Trena, u aksidentuan më 28 prill të muajit të kaluar. Trupi i Malësor Dashit u gjet pesë kilometra nga vendi i ngjarjes, ky dyshohej fillimisht se kishte rënë vetura. Ndërsa, trupi i Armend Trenës, u gjet në ditën e dhjetë të kërkimeve, gjashtë kilometra nga vendi i ngjarjes, në lumin Lepenc më saktësisht në vendin e quajtur "Kulla me Çeshme”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat