Haradinaj: Çmimet nuk guxojnë të rriten

Kosova

Haradinaj: Çmimet nuk guxojnë të rriten

Më: 22 nëntor 2018 Në ora: 20:57
Ramush Haradinaj

Kryesia e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës mbajti takimin e radhës, ku u diskutua për gjendjen e tanishme në vendin tonë.

Kryetari i AAK-së dhe njëherit kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i njoftoi strukturat e partisë për situatën politike në vend.

Siç njofton AAK, ai përmendi taksën prej 100 për qind, për mallrat e Serbisë dhe të Bosnje Hercegovinës, ku tha kjo taksë do të hiqet vetëm me njohjen e Kosovës nga ana e Serbisë, se përndryshe ne e kundërshtojmë vetveten.

“Serbia ka me u munduar me testu qëndrueshmërinë tonë, duke na provokuar në forma të ndryshme, së pari duke u thirrur në katastrofë humanitare për serbët e veriut, e që në të vërtetë nuk do të ndodh një gjë e tillë. Ajo do të mundohet të vë edhe barrikada në veri, siç është e njohur me forma të tilla, por prapë nuk do të ketë sukses. Të gjitha këto variante janë rrugë të gabuara nga ana e Serbisë nëse do t’i ndërmarr. Rruga e vetme e drejt është që ta njohë Kosovën si shtet”, tha Haradinaj.

Ndërsa, sa i përket BE-së që thirret në atë se nuk e kemi respektuar marrëveshjen e CEFTA-së “është gabim, sepse ne kemi vepruar sipas ligjit, kur e kemi vënë këtë taksë. BE-ja gjithashtu po na kritikon për atë se nuk i kemi kërkesat e qarta. Këtë herë ne e kemi vetëm një kërkesë, ta njeh Serbia Kosovën”.

Kryeministri foli edhe për çmimet, ku tha se çmimet nuk guxojnë të rriten. “Më vjen keq prej sipërmarrësve, por, këtë gjendje do ta kalojmë së bashku dhe nuk duhet ta keqpërdor askush këtë situatë, sepse nuk do të jetë mirë për askënd”, tha ai.

Më tej i pari i qeverisë tregoi se Kosova është në proces për liberalizimin e vizave, që beson se do të ndodh së shpejti.

Krejt në fund Haradinaj tregoi se për të gjitha këto vendime e ka mbështetjen e koalicionit qeverisës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat