Çfarë po ndodh me çmimet në Kosovë, pas taksës ndaj mallrave serbe?

Kosova

Çfarë po ndodh me çmimet në Kosovë, pas taksës ndaj mallrave serbe?

Më: 23 nëntor 2018 Në ora: 17:47
Ilustrim

Vendimi i Qeverisë për vendosjen e taksës prej 100 për qind për produktet që importohen nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina dhe ndalimin e mallrave që nuk i referohen Kosovës si Republikë, ka filluar të japë efektet e veta. Asnjë kamion me mallra serbe, sot nuk ka hyrë në Doganën e Kosovës. Taksa ka ndikuar edhe në rritjen e çmimeve të produkteve ushqimore në vend. Por, në Autoritetin Kosovar të Konkurrencës, nuk janë të habitur për këtë, pasi që siç thonë se një gjë e tillë ka qenë e pritur.

Vendosja e taksës fillimisht prej 10 për qind, e më pas 100 për qind për produktet që vijnë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, i gëzoi pothuajse gjithë kosovarët.

Shumica e duartrokitën këtë vendim të të parit të Qeverisë, e bënin thirrje që të përkraheshin prodhimet vendore.

Por, menjëherë pas vendosjes së taksës, gëzimi u mbeti në gjysmë. Gjithë kjo pasi shumë prej produkteve ushqimore, përfshirë edhe bukën filluan të shtrenjtoheshin.

Prej 30 centë sa kushtonte një bukë para këtij vendimi, çmimi i bukës është rritur për 10 cent. Tash një bukë thuajse në tërë komunat kushton 40 centë.

Një çmim përafërsisht i njëjtë i bukës është edhe në Shqipëri. Banorë të Kukësit kanë treguar, se edhe atje çmimi i bukës sillet prej 30 deri në 50 centë.

E ndonëse, kishte shumë ankesa nga qytetarët për rritjen e çmimeve të produkteve, në Autoritetin Kosovar të Konkurrencës nuk janë të habitur me këtë veprim të bizneseve, pasi që siç thonë një gjë e tillë ka qenë e pritur.

Kryetari i AKK’së, Valon Prestreshi ka se një gjë e tillë është normale në një ekonomi të tregut me konkurrencë të lirë.

Por, edhe Prestreshi e pranon se vendosja e taksës fillestare prej 10 për qind nga ana e Qeverisë së Kosovës për produktet serbe dhe boshnjake, ka filluar t’i çrregullojë tregjet.

Prestreshi beson se Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka bërë një analizë paraprake të tregjeve, dhe se ka zgjidhje për situatën e krijuar në vend.

“Është mëse evidente që masa e vendosur nga Qeveria e Republikës së Kosovës në 10% ndaj produkteve importuese, ka filluar t’i crregulloj tregjet përkatëse, dhe shpresoj që qeveria ka hartuar ndonjë plan veprimi dhe ka bërë konsultime paraprake adekuate me shoqatat dhe odat e biznesit”, thotë Prestreshi.

I pari i AKK’së, thotë se përgjegjësia e Autoriteti Kosovar I Konkurrencës, do të parandalojë që ndërmarrjet ta shfrytëzojnë situatën e krijuar pr ngritjen e çmimeve, duke vendosur çmime të blerjes ose te shitjes apo kushte tjera tregtimi.

Për këtë, Prestreshi thotë se kanë krijuar edhe një grup të hetuesve për monitorimin e sjelljeve të ndërmarrjeve që potencialisht mund të bien ndesh me Ligjin për Mbrojtjen e Konkurrencës.

Derisa u bën thirrje bizneseve që të sillen në mënyrë të përgjegjshme ndaj konsumatorit dhe të mos e keqpërdorin këtë situatë.

“Tani përgjegjësia e Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, është t’i parandaloj ndërmarrjet që i bashkërëndojnë aktivitetet e tyre dhe shfrytëzojnë situatën e krijuar për ngritjen e çmimeve në mënyrë të koordinuar, duke vendosur çmime të blerjes ose te shitjes apo kushte tjera tregtimi”, thuhet në përgjigjet e Prestreshit.

Ndërkohë, ky vendim i Qeverisë ka filluar të japë efektet e veta menjëherë.

Në Doganën e Kosovës kanë njoftuar se që nga dje pasdite, asnjë kamion me mallra serbe nuk ka hyrë në Doganë. Ndërsa, dje me të kuptuar për vendosjen e taksës shumë prej kamionëve me mallra serbe janë kthyer prapa.

Derisa, edhe Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka filluar kontrollet nëpër biznese dhe kanë larguar gjithë produktet serbe, që nuk i referohen Kosovës si Republika e Kosovës.

Vendimi i Qeverisë është mirëpritur edhe nga komuniteti i biznesit në Kosovë.

Sipas një komunikate për media të lëshuar nga Oda Ekonomike e Kosovës thuhet ‘se pas një takimi me bizneset në vend këto biznese e përkrahin vendimin qeveritar duke i dhënë konsideratë më të lartë interesit të përgjithshëm shtetëror'.

Në përkrahje të këtij vendimi ka dalur edhe Klubi i Prodhuesve të Kosovës. Mirëpo, në të njëjtën kohë Klubi i Prodhuesve iu ka bërë thirrje të gjithë operatorëve ekonomik që të mos ndryshojnë çmimet e tregut, duke i rritur ato pas miratimit të vendimit për taksën 100% për produktet e Serbisë dhe Bosnjës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat