Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë Shyqiri Bytyqi ka thënë se me hidhërim të thellë ka marrë lajmin për ndarjen nga jeta të ish presidentit amerikan, George H.W. Bush.
“Bush shërbeu si president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i përkushtuar për vendin e tij, në një periudhë plotë sfida për Evropën dhe mbarë njerëzimin. Ish presidenti Bush luajti një rol shumë të rëndësishëm duke lënë pas modelin e njeriut të dedikuar për paqe, demokraci, zhvillim ekonomik e social për atdheun e tij dhe për mbarë popujt e botës”, ka shkruar Bytyqi.
Bytyqi tutje ka thënë se familjes Bush asnjëherë nuk i mungoi përkushtimi për Kosovën dhe lirinë e saj.
“Prandaj, ne do ta mbajmë mend ish presidentin Bush për mbështetjen e parezervë në kohën kur na cënohej ekzistenca. George H.Ë. Bush do të ketë vendin gjithmonë në historinë e lirisë tonë dhe shtetit të Kosovës”, ka shkruar ai.
Në fund Bytyqi u ka shprehur ngushëllime familjes, miqve, Ambasadës së SHBA-ve në Kosovë, bashkëpunëtorëve dhe mbarë kombit amerikan.