Taksa ndaj mallrave serbe, Haradinaj me porosi për prodhuesit vendorë

Kosova

Taksa ndaj mallrave serbe, Haradinaj me porosi për prodhuesit vendorë

Më: 3 dhjetor 2018 Në ora: 16:49
Ramush Haradinaj

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka inkurajuar krijimin e lidhjeve biznesore mes ndërmarrjeve të mëdha, të mesme, por edhe të vogla, për të promovuar produktet vendore.

Ai në hapje të panairit Agrobiznesi “Shporta jonë”, organizuar nga Oda Ekonomike e Kosovës, tha se qëllimi i Qeverisë është zvogëlimi i importit ose zëvendësimin e produkteve nga importi në produkte në prodhimit vendor.

Haradinaj tha se me implementimin e politikave të reja fiskale të Qeverisë së Kosovës, është inkurajuar rritja e ndërmarrjeve të sektorit të prodhimit dhe të sektorit të informacionit.

Haradinaj: Taksa 100 për qind - nuk duhet përfituar nga ngritja e çmimeve

“Taksa 100 për qind nuk duhet të shihet si rast për të përfituar nga ngritja e çmimeve, por për të rritë prodhimin dhe për të rritë cilësinë.  Edhe pse jemi në ditët e para të vendosjes së taksës dhe ende ka stoqe nëpër rafte e depo, nga të dhënat e para taksa ka ndikuar pozitivisht në rritjen e prodhimit vendor. Prodhimi I blloqeve për ndërtim është rritur për 20 për qind, përpunimi I letrës higjienike është rritur për 40 për qind. Kemi rritje të theksuar të prodhimit të lëngjeve, ujit, vajit, dhe mishit të pulës për 10 deri 20 për qind. Po ashtu edhe prodhimi I barnave është rritur për 10 për qind”, tha Haradinaj.

Ndërsa, ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, bëri thirrje që të konsumohen produktet vendore, duke arsyetuar me forcimin e kompanive vendore dhe zhvillimin e ekonomisë.

Shala: Përkrahje e vazhdueshme për prodhuesit kosovarë

“Ne si qeveri e Republikës së Kosovës jemi të përkrahje të vazhdueshme të prodhuesve kosovar për depërtimin e produkteve “Made in Kosovo” edhe jashtë vendit, duke I përkrahur kompanitë kosovare në pjesëmarrje dhe promovim të produkteve të tyre nëpër panairet kryesore në Botë. Në kuadër të kësaj, jemi duke punuar për të siguruar treg jashtë vendit”, tha ministri Shala.

Ministri i MTI-së bëri të ditur se njëri ndër prioritetet kryesore do ta ketë edhe rritjen e cilësisë së produkteve dhe kërkoi nga prodhuesit vendor të investojnë në cilësi.

Ndërsa, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, tha se kjo ditë e ka një rëndësi të veçantë për shkak të një momentumi të ri që është krijuar, ku ka një ngritje të vetëdijes për potencialin e ekonomisë tonë dhe se këto ditë do ta shfaqin potencialin e ekonomisë që është zhvilluar me shumë mund.

Rukiqi: Do ta shfaqim potencialin e ekonomisë që e kemi zhvilluar

“Këto ditë do ta shfaqim potencialin e ekonomisë që e kemi zhvilluar me shumë mund, mirëpo besoj që me përpjekjet e të gjithë akterëve, ne edhe do ta avancojmë, normalisht duke pasur edhe një fokus të veçantë te prodhimi dhe eksporti. Qëllimi tjetër shumë me rëndësi, është që të tregojmë se ka një potencial që të mos jemi të varur nga vendet nga ku kemi importuar shpeshherë edhe pa ndonjë arsye ekonomike”, ka thënë Rukiqi.

Ndërsa, pronari i kompanisë “Amo”, Bujar Morina ka thënë se në “Panairin 2018”, po i prezantojnë prodhimet kryesore konditorike: rollata të ndryshme, biskota dhe petë për torte me gramatura dhe shije të ndryshme.

Ai pret që në panair të ketë shumë vizitorë dhe të arrihet qëllimi për promovimin e produkteve.

Morina: Gati në gjitha vendet evropiane eksportojmë

“Kompania jonë është ndër të parat në Kosovë që merret me këtë gamë të këtyre produkteve. Presim rikujtim të konsumatorit për këto produkte tona. Çdo gjë që është e mirë për prodhues, është e mirë edhe për ne. Qeveri, ministria, kanë bërë atë (për taksën ndaj produkteve serbe), atë që është dashur me bërë… Sa janë cilësore produktet tona, vetë fakti flet se gati në gjitha vendet evropiane eksportojmë”, ka thënë Morina.

Ndërsa, Kosovare Maliqi, përfaqësuese nga kompania “Fluidi”, theksoi se panairet janë mundësi e mirë për të promovuar produktet vendore.

Maliqi: Presim që të kemi më shumë shitje

“Momentalisht jemi me të gjitha produktet. Promovojmë vajin e vetëm vendor për industrinë e ushqimit, vaji, “Floil”. Promovojmë produktet e Jafës, RC-së dhe Radrin-it… presim që, me taksën e re që është marrë nga kryeministri, presim të kemi ngritje të shitjeve”, tha Maliqi. 

Ndryshe, në këtë panair, fokusi i të cilit është promovimi i produkteve kosovare, po marrin pjesë 36 kompani nga Kosova dhe një nga Italia. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat