Plan veprimi për të ulur përdorimin e tepruar të antibiotikëve

Kosova

Plan veprimi për të ulur përdorimin e tepruar të antibiotikëve

Më: 9 dhjetor 2018 Në ora: 15:16
Foto ilustrim

Shitja e pakontrolluar e barnave pa recetë të mjekut, vazhdon të karakterizojë tregun e barnave në Kosovë. Në përpjekje që të zbatojë ligjin përkatës, i cili ndalon shitjen e barnave pa udhëzim apo recetë të mjekut, së fundit, Ministria e Shëndetësisë ka miratuar një plan veprimi. Aty, i kushtohet rëndësi parësore përdorimit të antibiotikëve.

Konsumimi i antibiotikëve në Kosovë mbetet i lartë, ndonëse viteve të fundit, sipas statistikave, ka një rënie të konsumimit.

Përdorimin e pakontrolluar të antibiotikëve e ka mundësuar blerja e tyre pa recetë të mjekut.

Kosova, llogaritet si “kampione” e përdorimit të antibiotikëve duke e zënë vendin e parë në Evropë me një lloj antibiotiku që shitet në treg, ndërkaq zë vendin e nëntëmbëdhjetë (19) për përdorim të përgjithshëm.

Si rrjedhojë, ditë më parë ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, ka nënshkruar ‘Planin e Veprimit për Rezistencën Antimikrobike’, i cili do të shërbejë si një udhërrëfyes për të gjitha spitalet publike, partnerët shëndetësorë, veterinarë e mjedisorë për të ulur rezistencën ndaj antibiotikëve dhe për të rritur sigurinë shëndetësore të popullatës.

"Ndër vite me radhë ne kemi përdorur pesëfish më shumë antibiotikë se qytetarët e shteteve tjera evropiane. Këto shifra kanë qenë alarmante. Jam i lumtur që po krijojmë politikë të re, me të cilën do ta trajtojmë këtë problem", ka thënë Ismaili.

Ndryshe, Kosova nga vendi i njëmbëdhjetë sa kishte dalë para shtatë vjetësh, sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, në konsumin e përgjithshëm të antibiotikëve, ka kaluar në vendin e nëntëmbëdhjetë.

Lul Raka, mikrobiolog njëherësh koordinator i bashkëpunimit me Qendrën Evropiane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se me këtë plan veprimi, i cili ka qenë i gatshëm prej vitesh, por nuk është nënshkruar, parashihet ndalimi i shitjes së antibiotikëve pa recetë, pra zbatimi i kornizës ligjore ekzistuese.

Kosova ka ligj që e ndalon blerjen e barnave pa recetë, por ky ligj nuk është zbatuar.

Megjithatë, sipas mikrobiologut Lul Raka, restrikcioni që do të ndodhë për antibiotikun në nivelin parësor shëndetësor, do ta ulë dukshëm përdorimin e tij.

“Një lajm i tillë është i jashtëzakonshme pasi që rezistenca antimikrobike është sfidë globale, si edhe për Kosovën. Andaj, ky (plan) është përmbledhje e të gjitha aktiviteteve që e adresojnë këtë problematikë dhe kontrollon parandalimin dhe kontrollin e shfaqjes dhe rezistencës në Kosovë”.

“Ka disa fusha të veprimit, e që do të veçoja vetëdijesimin e popullatës, e cila ka arritur përparim duke ulur përdorimin në 25 për qind në pesë vitet e fundit. Kjo tregon se ka pasur elemente pozitive në fushën e vetëdijesimit, pastaj edukimi dhe trajnimi i profesionistëve shëndetësorë, pastaj fuqizimi i kapaciteteve laboratorike për diagnozën e infeksioneve të ndryshme”, ka sqaruar Raka.

Sipas tij, ky plan veprimi parasheh ndalimin e shitjes edhe të barnave tjera, përpos antibiotikut.

“Janë nënshkruar dy pika kryesore administrative, e para fuqizimi i monitorimit të kornizës ligjore, meqë në këtë fushë nuk ka pasur kontroll, pra nuk është zbatuar ligji dhe këtë do ta bëjë Inspektorati farmaceutik , dhe e dyta është restrikcioni i përshkrimit të antibiotikëve nga ana e mjekëve, sidomos nga kujdesi parësor dhe këtu do të ketë edhe një radhë të prioriteteve duke e ruajtur antibiotikun që është për përdorim për raste të veçanta, pra në kujdes terciar. Këto janë dy prej pikave kryesore, me të cilat do të përballemi gjatë zbatimit të planit të veprimit”, ka thënë Raka.

Nëpër barnatoret e Kosovës, barnat në përgjithësi, përfshirë edhe ato narkotike dhe psikotrope, janë shitur pa recetën e mjekut./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat