Bytyqi: MASHT realizoi shumicën e objektivave të caktuara për këtë vit

Kosova

Bytyqi: MASHT realizoi shumicën e objektivave të caktuara për këtë vit

Më: 10 dhjetor 2018 Në ora: 12:16
Bytyqi mori sot pjesë në hapjen e punëtorisë dyditore mbi përgatitjen e raportit të vlerësimit – Rishikimi i përbashkët vjetor i punës për vitin 2018

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), Shyqiri Bytyqi, mori sot pjesë në hapjen e punëtorisë dyditore mbi përgatitjen e raportit të vlerësimit – Rishikimi i përbashkët vjetor i punës për vitin 2018, bazuar në PSAK 2017-2021.

Në këtë punëtori, e cila është organizuar nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë me mbështetje të GIZ-it, ministri Bytyqi tha se përkundër sfidave të mëdha dhe mungesës së buxhetit për realizimin e PSAK-ut, ministria që ai drejton ka arritur të realizojë shumicën e objektivave të caktuara për këtë vit.

“Viti 2018 ka pasur sfidat e veta, të cilat do të mund të diskutohen gjatë këtyre dy ditëve sa zgjatë punëtoria bashkë me ekspertët dhe përfaqësuesit e institucioneve dhe organizatave pjesëmarrëse”, tha ai.

Si të arritur kryesore të realizuar për këtë vit, ministri Bytyqi përmendi ngritjen e përqindjes në gjithëpërfshirje, sidomos në nivelin parashkollor, ndërsa mbetet sfidë përfshirja e fëmijëve nga mosha 0-5 vjet, ndarjen e buxhetit prej 1 milion euro për kryerjen e praktikës për nxënësit e shkollave profesionale, rritjen buxhetore për shkencë, nënshkrimin e marrëveshjes me BE-në për “Erasmus +”, infrastrukturën ligjore, fillimin e vlerësimit të performancës së mësimdhënësve, shpalljen publike për tekste të reja dhe të arritura të tjera.

Ai ka theksuar se për vitin 2019, bashkë me GIZ-in, kanë përcaktuar katër objektiva për arsimin parauniversitar, ndër të cilat qeverisja e shkollave dhe shtimin e akterëve aktiv në ngritjen e cilësisë në arsim.

Ndryshe, në këtë punëtori po marrin pjesë përfaqësues të institucioneve të larta vendore, organizata ndërkombëtare partnere në arsim, organizata vendore, përfaqësues të SBASHK-ut, të DKA-ve, të Këshillit të Prindërve, të Fakultetit të Edukimit, të studentëve, të mediave dhe akterë të tjerë të përfshirë në arsim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat