Bekim Jashari: Ne nuk u ndalem asnjëherë

Kosova

Bekim Jashari: Ne nuk u ndalem asnjëherë

Nga: A.M. Më: 11 dhjetor 2018 Në ora: 15:27
Bekim Jashari

Në njëvjetorin e punës në krye të komunës së Skenderajt, Bekim Jashari ka folur për sfidat të cilat është përballu gjatë këtij viti.

Ai përmes një postimi në Facebook ka shkruar se “ne kemi arrit të bëjmë punë të rëndësishme gjatë kësaj periudhe njëvjeçare, duke pas parasysh edhe vështirësitë si dhe përpjekjet për të bllokuar punën e Asamblesë Komunale dhe zhvillimin ekonomik të komunës sonë, siç ishte rasti i Parkut të Biznesit”.

Postimi i plotë:

Të dashur qytetarë të Skenderajt,

Po rrumbullakojmë vitin e parë të qeverisjes komunale në Skenderaj.

Ky rrugëtim kishte sfida, por kemi arritur të kemi rezultate, pavarësisht vështirësive.

Ka qenë dhe mbetet privilegj për mua që iu kam shërbyer, dhe që do të iu shërbej edhe në vitet tjera në vazhdim.

Ne kemi arrit të bëjmë punë të rëndësishme gjatë kësaj periudhe njëvjeçare, duke pas parasysh edhe vështirësitë si dhe përpjekjet për të bllokuar punën e Asamblesë Komunale dhe zhvillimin ekonomik të komunës sonë, siç ishte rasti i Parkut të Biznesit.

Pavarësisht kësaj, ne nuk u ndalem asnjëherë, dhe vazhduam të marrim vendime të rëndësishme për zhvillim të gjithmbarshëm të Skenderajt.

Në vitin e parë të punës sime si kryetar i Komunës së Skenderajt, kemi vazhduar me projektet, kemi menaxhuar me sukses të plotë buxhetin publik, i cili është shpenzuar sipas planifikimeve të mëhershme.

Pa dashur t’iu shmangen përgjegjësive për buxhetin e miratuar, para se të marrë detyrën e kryetarit, vitin e kaluar, unë siguroj transparencë të plotë ndaj çdo centi të shpenzuar për projektet e realizuara, dhe jam i hapur për llogaridhënie ndaj secilit qytetar që ka dyshime.

Po i përmend disa nga veprimet e ndërmarra gjatë vitit të parë të qeverisjes sime: Parku i Biznesit me sipërfaqe prej 36 hektarë; kemi përfunduar procesin e rivarrimit të dëshmorëve në Kompleksin Memorial në Marinë; kemi arrit të sjellim dhjetëra investitorë të interesuar për investime në sektorë të ndryshëm, ndër ta edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës; kemi dyfishuar shumën nga 10 mijë në 20 mijë euro për transportin e nxënësve të shkollave të mesme; kemi ndarë buxhet për bursa të studentëve; është filluar ndërtimi i shkollës në Polac; po vazhdon rehabilitimi i rrugëve nëpër fshatrat e komunës sonë.

Kemi realizuar projekte në infrastrukturën rrugore, në: Likoc, Runik, Vitak-Kllodernicë, Prekaz-Gofile, Klinë-Prekaz, Marinë-Kryshefc; në sistemin e kanalizimit ka përfunduar rrjeti i kanalizimit në qytet, ndërkaq ka përfunduar sistemi i ujësjellësit në Kryeshefc, kurse brenda këtij viti do të përfundohen projektet e kanalizimit në Rezallë dhe Runik.

Kemi ndërtuar fushën ndihmëse të futbollit, me bari sintetik, e para e këtij lloji në Ballkan.

Aktualisht është duke u punuar në projektin e rregullimit të infrastrukturës në zonën sportive në Prekaz; rregullimi me kubëza betoni i rrugëve në Lagjen III; po vazhdon rregullimi i sistemit të rrugëve brenda qytetit.

Bujqësia ka përfituar shumë nga puna dhe angazhimi ynë, dhe është zhvilluar dukshëm, fal mbështetjes së fermerëve. Brenda këtij viti, janë mbështetur rreth 250 fermerë me subvencione, grante, pajisje bujqësore, vegla bujqësore dhe të tjera.

Vitin e ardhshëm mbështetja do të jetë më e madhe për sektorët e bujqësisë.

Tek shëndetësia e mirëqenia sociale: janë ndërtuar 11 shtëpi për të pastrehët, në bashkëpunim me donatorë dhe shoqata të ndryshme; kemi fituar pajisje për nevojat e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Skenderaj në vlerë prej 140 mijë eurove; kemi filluar për herë të parë projektin e ofrimit të trajtimeve shëndetësore për të sëmurët nëpër terren, që nënkupton ekipet mobile të Caritas, vizitojnë nëpër shtëpi qytetarët e sëmurë; kemi bërë hapjen e bunarëve për nevojtarët; kemi fituar donacion nga Qeveria e Zvicrës në vlerë prej 20 mijë eurove për QKMF-në.

Nuk do të vetëkënaqem me këto të arritura, duke konstatuar se kemi bërë shumë.

Jam i vetëdijshëm për rrugën e gjatë që kemi përpara, kemi shumë punë për të bërë, na presin projektet e rëndësishme për të mirën e qytetarëve, komunës sonë dhe zhvillimit të përgjithshëm.

Mëzi po pres të nisim vitin 2019 dhe të shoh tek fillon implementimi i projekteve të reja. Investimet do të prekin çdo segment, do të shtrijmë dorën e Komunës në çdo fshat, kudo është e nevojshme për investime publike.

Buxheti i Komunës është i përbashkët, ai do të shpenzohet për nevojat e qytetarëve.

Jemi përkujdesur të sigurojmë mjete financiare që vitin e ardhshëm t’i ndërtojmë mbi 25 shtëpi banimi për të pastrehët.

Përpjekjet tona për zgjidhjen e çështjes së strehimit nuk do të ndalen për asnjë moment.

Nuk do të ndalemi për ta zhvilluar vendin tonë.

Të dashur qytetarë,

Duke iu falënderuar për durimin tuaj, dhe këtu dua t’i falënderoj edhe anëtarët e Kuvendit Komunal të Skenderajt, të cilët, pavarësisht kundërshtive të çastit për projekte dhe çështje të caktuara, janë treguar konstruktiv në debatin e zhvilluar në Kuvend dhe jashtë tij, kërkoj bashkëpunim të sinqertë kur janë në pyetje interesat e përgjithshme të Komunës dhe qytetarëve.

Falënderoj dhe mediat e shoqërinë civile për bashkëpunim!

Pa një bashkëpunim të mirëfilltë, nuk mund të ecim përpara!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat