‘Babadimrat' vrapojnë, do të ndihmojnë 500 familje për fundivit

Kosova

‘Babadimrat' vrapojnë, do të ndihmojnë 500 familje për fundivit

Më: 16 dhjetor 2018 Në ora: 15:01
750 persona të veshur si babadimra vrapuan përgjatë minimaratonës “Vrapo Babadimër”

750 persona të veshur si babadimra vrapuan përgjatë minimaratonës “Vrapo Babadimër”, si rezultat i së cilës do të ndihmohen 500 familje në nevojë.

Paratë e mbledhura nga shitja e kostumeve do të shkojnë për të blerë pako ushqimore dhe gjësende festive, për t’i dalë në ndihmë familjeve në nevojë gjatë festive të fundvitit.    

Organizatori i këtij aktiviteti, Jusuf Islami, tha se synimi i tyre ishte që sivjet të bëheshin 1000 babadimra. Ani pse nuk e arritën numrin, Islami thotë se janë të kënaqur, sepse në krahasim me edicionin e parë, sivjet do të ndihmohen 440 familje më shumë.

Islami: Synojmë t’i ndihmojmë familjet për fundvit

“Familjet do t’i përzgjedh Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, ku në prag të festive të fundvitit do t’ia shpërndajmë pakot ushqimore dhe gjana festive që sadopak edhe ata të presin vitin e ri pak më të begatshëm. Kjo është edhe ideja e kampanjës, duke e blerë kostumin, përveç që vjen e kënaqesh, familjet edhe ndihmohen, Këtë ditë ishte edhe maratona në Luksemburg, është mbajtur në shumë vende të botës e një prej tyre është edhe Kosova”, ka thënë Islami.

Këtë vit, edicioni “Vrapo babadimër” u përkrah edhe nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Ministri Kujtim Gashi tha se një nga arsyet që kanë mbështetur këtë projekt, është pjesëmarrja e personave me nevoja të veçanta, për të cilët premtoi përkrahje të mëtutjeshme.

Gashi: Në vazhdimësi do t’i mbështesim personat me nevoja të veçanta

“Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit për herë të parë e mbështet këtë projekt duke e pasur parasysh qëllimin e këtij projekti i cili ka për karakter humanitetin, natyrisht duke pasur parasysh gjithmonë edhe pjesëmarrjen me fëmijë me sindromën Doën, me nevoja të veçanta, kjo ka qenë arsyeja pse ne si ministri kemi vendosur ta mbështesim këtë projekt dhe besoj që do të jetë tradicional dhe në vazhdimësi do t’i mbështesim projektet që kanë për qëllim mbështetjen për personat me nevoja të veçanta”, ka thënë Gashi.

I pranishëm në maratonë ishte edhe ambasadori britanez Ruairi O’Connell.

Pas përfundimit të mini maratonës, u shpërblyen fituesit nga fëmijët dhe të rriturit. E në mesin e pjesëmarrësve pati edhe fëmijë me nevoja të veçanta.

Po ashtu, u ndanë certifikata edhe për kompanitë dhe institucionet që përkrahën maratonën.

Duke iu bashkangjitur këtij aktiviteti, Kosova bën pjesë në 60 vende të botës në të cilat mbahet kjo minimartonë me karakter bamirësie.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat