Komuna e Drenasit nuk blen pelet nga Serbia

Kosova

Komuna e Drenasit nuk blen pelet nga Serbia

Më: 16 dhjetor 2018 Në ora: 22:06
Foto ilustrim

Komuna e Drenasit ka hedhur poshtë informacionet e publikuara në media se kinse kryetari i kësaj komune Ramiz Lladrovci ka blerë pelet nga Serbia.

Në një sqarim për media thuhet se Komuna e Drenasit nuk blen pelet për ngrohje për asnjë institucion, por kontrakton operator ekonomik për furnizim sipas kërkesave, ndaj publikimet në portale janë të pa baza dhe të njëanshme, sepse para se të publikojnë një lajm të tillë, duhet kontaktuar edhe Zyrën për Informim në Komunën e Drenasit për të vërtetuar një gjë të tillë.

Zyra e Prokurimit në Drenas nuk ka nënshkruar kontratë me Operatorin Ekonomik për të furnizuar me pelet Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Drenas, por Operatori Ekonomik pasi ka pranuar njoftimin për vendimin e autoritetit kontraktues, pa e bërë nënshkrimin e kontratës ka sjellë peletin të cilin Komisioni i Pranimit nuk e ka pranuar dhe i ka kërkuar OE të sjellë peletin sipas specifikimeve të dhëna në njoftimin për kontratë dhe dosjen e tenderit, thuhet në sqarim.

Operatori Ekonomik për furnizim me pelet për QKMF-në, pa e nënshkruar kontratën në Zyrën e Prokurimit Komunal, ditën e enjte ka dërguar në oborrin e QKMF-së një sasi të peletit duke iu thënë punëtorëve se ‘jam operator ekonomik  fitues për furnizim dhe këtë sasi po e zbrazi para kohe e sasinë tjetër e sjelli nesër’.

Komisioni verifikues ka konstatuar se peleti nuk është i kualitetit të kërkuar dhe ka kthyer kamionin e dytë duke i rekomanduar OE-së që ta marrë edhe këtë sasi me vete, ndërkohë që operatori ekonomik ka tentuar të manipulojë me pelet, dhe peleti nuk është pranuar e as nuk është paguar.

Komuna e Drenasit për këtë çështje paralajmëron hetim të plotë, pasi QKMF nuk ka pasur urgjencë për pelet deri në përfundimin e procedurave të prokurimit, pasi ka huazuar nga komuna sasinë prej 5 tonësh.

“Kryetari i Komunës së Drenasit Ramiz Lladrovci mbetet i përkushtuar të zbatojë të gjitha masat për taksën 100% ndaj mallrave serbe. Zyra e Prokurimit është e pavarur në vendimet e saj dhe se kryetari nuk ndërhynë në procedurat e prokurimit, por i monitoron përmes Zyrës së Auditorit të Brendshëm”, përfundon sqarimi i Komunës së Drenasit, e cila  këtij njoftimi ia ka bashkëngjitur edhe procesverbalin e Komisionit të Pranimit nga QKMF-ja.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat