Përçahet Parlamenti Studentor

Kosova

Përçahet Parlamenti Studentor

Më: 17 dhjetor 2018 Në ora: 15:06
Ilustrim

Parlamenti Studentor i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” është përçarë. Kjo përçarje ka ardhur si pasojë e kërkesës së 9 deputetëve të Parlamentit Studentor që të shkarkohet kryetari Arben Elshani.

Ky i fundit është zgjedhur kryetar nga koalicioni në mes organizatës Reforma, USPE, SVK dhe nga Paqja studentore, në tetor të këtij viti.

Ndërkaq, 9 deputetët e Parlamentit Studentor po e akuzojnë kryetarin e Parlamentit Studentor se është i ndikuar nga politika, madje thonë se është i ndikuar nga partia Nisma Socialdemokrate dhe nga Arian Janova.

Ditën e sotme kryetari i Parlamentit Studentor Arben Elshani, së bashku edhe me studentë të tjerë kanë organizuar një protestë para rektoratit të UP-së.

Një orë më herët në faqen zyrtare të Parlamentit Studentor në Facebook, përmes një shkrimi thuhej se kjo protestë po organizohej nga një grup individësh që janë të lidhur më grupe kriminale brenda UP-së dhe grupe politike që nuk ia duan të mirën Universitetit të Prishtinës.

Për këtë shkrim kryetari i Parlamentit Studentor, Arben Elshani, thotë se ai është kryetari i vetëm legjitim i dal nga zgjedhjet studentore, ndërsa grupin e studentëve që po e kundërshtojnë i quaj si grup që po duan ta kapin Parlamentin Studentor.

Elshani: Një grup studentësh po mundohen ta kapin Parlamentin Studentor

“Pala tjetër është një grup studentësh të cilët po mundohen që me çdo kusht të kapin Parlamentin e Studentëve. Ne jemi dëshmitar të asaj që javën e kaluar ka ndodhur edhe mbledhja e thirrur nga bordi edhe pse kemi pasur ankesat tona se ka qenë e padrejtë, sepse për t’u thirrur një mbledhje e Parlamentit Studentor duhet që t’i drejtohet kërkesa kryetarit të Parlamentit, kështu që, një gjë e tillë nuk ka ndodhur prej palës tjetër. Edhe pse nuk ka pëlqyer vendimi i Këshillit Drejtues ne e kemi respektuar, e kemi mbajtur mbledhjen në prezencë të Këshillit Drejtues dhe të menaxhmentit të UP-së dhe çdo gjë ka shkuar në mënyrën më korrekte të mundshme dhe në mënyrën më demokratike”, tha ai.

Ai i kundërshton edhe fjalët se këtë protestë e ka organizuar Arian Janova,

Elshani: Absolutisht jo, protesta e sotme ka të bëjë më shumë për vendimet që po merren

“Absolutisht jo, protesta e sotme ka të bëjë më shumë për vendimet që po merren disa herë nga presioni i një grupi të caktuar të studentëve dhe që janë të dirigjuar prej dikujt tjetër. Normalisht që kjo nuk na pëlqen fare neve. Kemi vazhduar sot me këtë aktivitet, por nuk e përjashtojmë mundësinë që do të ketë edhe aktivitete të tjera në ditët në vijim”, tha ai.

Në anën tjetër, Edon Nishori, deputet nga ‘Reforma’, ka bërë të ditur se organizata ‘Reforma’, pjesë e të cilës është edhe kryetari Arben Elshani, kanë prishur koalicionin dhe kanë formuar një të ri në mes Reformës, OPS dhe UPSK-së, ku kanë zgjedhur për kryetar të Parlamentit Studentor Flakron Kabashin.

Ai përmes telefonit i ka thënë KosovaPressit se dëshirojnë që të rrëzojnë kryetarin Arben Elshani, pasi sipas tij ai është i ndikuar nga politika. 

“Ne pasi kemi marrë iniciativën për të bërë koalicionin e ri të Parlamentit Studentor, menjëherë kemi hasur në rezistencën në bordin e Këshillit Drejtues, i cili është i kapur nga Nisma. Ky koalicion është bërë tash e një muaj dhe ne kemi kërkuar që të bëhet votimi për mocionin e rrëzimit të kryetarit të Parlamentit Studentor, pra Arben Elshani. Ky proces është zgjatur tash e një muaj me të vetmen arsye që t’iu jepet kohë Arian Janovës me të kapurit nga ai përmes aferave të ndryshme që të bëjnë presione nga më të ndryshmet tek deputetët e Parlamentit”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se si koalicion i ri në mes Reformës, OPS dhe UPSK-së kanë 9 deputetë, dhe sipas tij e kanë shumicën për të zgjedhur një kryetar të ri.

“Kemi shumicën e kemi kuorumin dhe  kemi shprehur vullnet që të krijojmë një koalicion të ri në krye me kryetarin Flakron Kabashi, i cili duhet të jetë kryetar legjitim, sepse Arben Elshani tash e një muaj më shumë është duke e lënë Parlamentin Studentor pa udhëheqje. Ai nuk mund të marrë asnjë vendim në kuadër të Parlamentit Studentor, pasi për të marrë vendim duhet t’i ketë 9 vota. Ai deri tani i ka 8 vota dhe çdo vendim i tij është i pavlefshëm”, ka thënë ai.

Ditën e sotme, kryetari i Parlamentit Studentor, Arben Elshani, së bashku edhe me disa studentë kanë protestuar para rektoratit të UP-së, duke kërkuar pavarësi politike në Parlamentin Studentor.

Përveç kësaj, ata kanë kërkuar edhe shkarkimin e Beqir Sadikajt nga Këshilli Drejtues, të cilin e kanë quajtur edhe “baba” i Këshillit Drejtues. Ku për këtë kërkesë, kryetari i Parlamentit Studentor Arben Elshani, ka shpjeguar arsyen se pse e kanë këtë kërkesë.

Elshani: Ka qenë njeriu kryesor që ka ndihmuar shumë hapur palën tjetër

“Ka qenë njeriu kryesor që ka ndihmuar shumë hapur palën tjetër, duke i krijuar favore se ajo punë do të bëhet me apo pa rregulloren e UP-së. Kështu që, ne nuk jemi që me qenë çdo gjë jashtë procedurave. Ne krejt çka po kërkojmë prej fillimit është që veç me u respektua rregullorja dhe statuti i UP-së”, ka thënë ai.

Këtë studentë janë pritur në takim nga prorektorët e UP-së, pasi sipas prorektores  për buxhet dhe financa, Myrvete Badivuku, rektori Marian Dema nuk ishte në punë pasi kishte rast vdekje.

Badivuku: Jemi të hapur të bisedojmë

“Ka ndodhur një rast vdekje dhe është dashur rektori patjetër me qenë në ceremoninë e varrimit. Prandaj, ai sot nuk është këtu me ne, përndryshe ne jemi të hapur të bisedojmë, të dëgjojmë shqetësimet e juaja dhe të bëjmë zgjidhjen më të mirë të mundshme”, u tha ajo studentëve.

Pas takimit, kryetari i Parlamentit Studentor, Arben Elshani, ka thënë se kanë biseduar për problemet që i kanë dhe së shpejti do të njoftohen nga rektori për hapat që do t’i ndërmarrin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat