FSShK paralajmëron hapa edhe më radikalë nëse nuk u plotësohen kërkesat

Kosova

FSShK paralajmëron hapa edhe më radikalë nëse nuk u plotësohen kërkesat

Më: 18 dhjetor 2018 Në ora: 13:26
Foto ilustrim

Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës ka paralajmëruar masa më radikale nëse kërkesat e tyre për ngritje të pagave nuk realizohet, madje nuk e kanë përjashtuar as mundësinë e hyrjes në grevë të përgjithshme.

Kjo ka ardhur pas grevës 24 orëshe që punëtorët shëndetësor të QKUK-së kanë mbajtur ditën e djeshme.

Kryetari i FSShK-së, Blerim Syla, ka thënë se po kërkojnë vetëm atë që iu takon dhe atë që iu është premtuar. Sipas tij, punëtorët shëndetësor janë lodhur dhe nuk mund të vazhdojnë të japin shërbime me kushtet që tani i kanë.

Ai bëri të ditur se të enjten do të mblidhet Këshilli Drejtues i Federatës, ku edhe do të merret vendimi se si do të veprojnë më tutje.

Syla: Nuk janë duke u realizuar ato që kemi kërkuar

“Nuk janë duke u realizuar ato që kemi kërkuar dhe me datën 20 fillon mbledhja e Këshillit Drejtues në nivel të Federatës, në të cilën do të merren vendime konform ligjit dhe konform kërkesave të punëtorëve shëndetësor, në të vetmen mënyrë se si të dalim nga kjo krizë, sepse ligji për pagat nuk është duke shkuar dhe kërkesat tona nuk janë duke shkuar. Po ashtu, rritja e pagave nuk është paraparë në buxhetin e vitit 2019, do të thotë situata është shumë e qartë dhe neve kemi apeluar edhe tek kryeministri edhe tek kryetari i Kuvendit që të gjendet forma se si të realizohen këto kërkesa në mënyrë që të mos marrim masa të tjera radikale”, tha ai.

Ai nuk e ka përjashtuar mundësinë e futjes në grevë të përgjithshme nëse institucionet përgjegjëse nuk reflektojnë për përmbushje të kërkesave të tyre.

Syla: Shanset reale janë që  të futemi në një grevë të përgjithshme

“Shanset reale janë që  të futemi në një grevë të përgjithshme në nivel kombëtar, ju e dini se dje ka mbajtur vetëm QKUK-ja, mirëpo Këshilli Drejtues do të vendos edhe për nivel primar, sekondar dhe terciar. Këtu e kemi vetëm një dallim kësaj here, se nëse futemi në grevë të përgjithshme do të apelojmë edhe tek spitalet private që atë ditë të solidarizohen me ne. Kuptohet vetëm emergjencat punojnë, mirëpo nëse prapë nuk kemi reflektim nga ana e Qeverisë dhe Parlamentit atëherë janari është i paparashikueshëm”, tha ai.

Syla ka thënë se edhe Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili është në koherencë me kërkesat e tyre, por ai tha se nuk është gjithçka në dorën e tij.

Ai ka kërkuar që të ketë një takim me kryeministrin Ramush Haradinaj dhe kryetarin e Kuvendit Kadri Veseli, për të biseduar rreth kërkesave të tyre.

Syla: Punëtorët janë të lodhur, që katër vite neve nuk kemi rritje të pagave

“Nëse vazhdon kjo situatë  kështu e injorimit dhe një mjegullie atëherë punëtorët janë të lodhur, që katër vite neve nuk kemi rritje të pagave. Kështu ashtu planifikohet edhe ikja e punëtorëve shëndetësor, shërbime nuk mund të jepen më në këtë formë çfarë jemi duke dhënë”, tha ai.

Kurse, nënkryetari i FSShK-së, Xhemajl Selmani ka treguar se si ka shkuar greva e djeshme 24 orëshe, ku sipas tij gjithçka ka shkuar mirë dhe nuk kanë pasur ndonjë problem.

Ai ka falënderuar punëtorët shëndetësor që i janë përgjigjur thirrjes për grevë në të gjitha njësitë.

Punëtorët shëndetësor ditën e djeshme kanë mbajtur një grevë 24 orëshe, ku kanë kërkuar që të rriten pagat për punëtorët shëndetësor.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat