ÇOHU: Universitetet publike në shërbim të politikës

Kosova

ÇOHU: Universitetet publike në shërbim të politikës

Më: 18 dhjetor 2018 Në ora: 14:37
ÇOHU: Universitetet publike në shërbim të politikës

Universitetet publike në Kosovë përballen me vështirësi të mëdha në realizimin e punës së tyre dhe meqë janë themeluar si premtim në fushatë zgjedhore, pa buxhet e kushte, këto universitete ndikohen lehtë nga politika e cila është munduar t'i arrijë synimet e saj duke ndërhyrë në mënyra të ndryshme në punën e tyre.

Ky konkluzion ka dalë në hulumtimin “Universiteti si fushatë” i realizuar nga Organizata për Demokraci, Anti-korrupsion dhe Dinjitet, ÇOHU! dhe Qendra Kosovare për Gazetari Hulumtuese, ku janë hulumtuar Universiteti i Pejës, ai i Prizrenit, Gjilanit, Mitrovicës, Ferizajt dhe ai i Gjakovës.

Autori i këtij hulumtimi Besnik Boletini, ka thënë se këto Universitete janë krijuar si premtime elektorale në fushata zgjedhore, e kjo sipas tij është mangësia kryesore pasi janë krijuar pa një analizë të mirëfilltë.

Ai tha se vendimet për hapjen e këtyre Universiteteve janë marrë në kohë fushate, e kjo sipas tij ka bërë që në këto Universitete të vërshojnë anëtarët e partive politike. Sipas tij, në këto njësi akademike janë rehatuar militantët partiak.

Boletini: Mësimdhënësit me nivelin bachelor dhe me notë mesatare aty mbi 6

“Në Prizren dhe në Pejë kanë dhënë mësim mësimdhënësit me nivelin bachelor dhe me notë mesatare aty mbi 6. Ky është problemi kryesor që i karakterizon këto Universitete për nga cilësia. Këto ndërhyrje politike fillimisht janë mundësuar për shkak se 4 nga 6 rektorët kanë pasur lidhje politike me parti. Të katërtit vijnë nga PDK që është Bajram Kosumi në Universitetin e Gjilanit, Ramë Vataj në atë të Prizrenit, Alush Musaj në Universitetin e Mitrovicës dhe Agron Bajraktari ish këshilltar politik i ministrit Blerand Stavileci në Ferizaj. Në total stafi menaxhues i këtyre gjashtë Universiteteve kemi identifikuar 35 persona që kanë lidhje me partitë politike. Nga ta 15 janë të PDK-së, 6 të LDK-së, 5 të AKR, 3 të AA, 2 Nisma”,tha ai.

Një problem tjetër sipas hulumtimit është mungesa e theksuar e stafit akademik. Autori i hulumtimit tha se shumë profesor që punojnë në Universitetin e Prishtinës ligjërojnë edhe në këtë Universitete, e që sipas tij kjo bënë që cilësia e studimeve të vihet në pikëpyetje.

Boletini: Profesorët që ligjërojnë në UP janë edhe në këto Universitete

“Shumica e profesorëve që ligjërojnë edhe në Universitetin e Prishtinës ligjërojnë edhe në këto Universitete. Prandaj, në këtë aspekt edhe cilësia e studimeve vihet në pikëpyetje. Ne kemi marrë disa të dhëna ta zëmë për katër Universitete siç është ai i Pejës i ka 74 profesor të rregullt, kurse 100 të angazhuar. I Mitrovicës 110 të rregullt, 35 të angazhuar, Universiteti i Prizrenit 66 të rregullt, ndërsa 140 të angazhuar dhe ai i Gjakovës 45 të rregullt dhe 50 të angazhuar. Duhet të theksojmë që bashkëpunëtorët e jashtëm janë për disa orë të caktuar dhe këtu paraqiten problemet kur është numri i madh i tyre, sepse mungojnë shpesh në ligjërata, në konsultime dhe në proceset tjera të mësimdhënies. Kjo është një mangësi e madhe sa i përket cilësisë së mësimdhënësit”, u shpreh ai.

Ndërkaq, një problematikë tjetër sipas autorit të hulumtimit është kërkesa që ka ardhur që këto Universitete të mbyllen. Ai thotë se me ndërrimin e partisë që udhëheq me Ministrinë e Arsimit ka ardhur edhe kjo kërkesë.

Boletini: Këto në vazhdimësi i janë nënshtruar një lloj ndikimi politik

“Këto në vazhdimësi i janë nënshtruar një lloj ndikimi politik, tash me ndërrimin e partisë që udhëheq Ministrinë e Arsimit është bërë një vlerësim i cili në një mënyrë sa që duhet me u mbyll këto Universitete. Do të thotë, derisa këto janë në proces të konsolidimit ka një kërkesë të ministrisë për me u mbyllë. Çka është më skandalozja këtu që ky vlerësim është bërë pa shkua në 5 prej këtyre Universiteteve, do të thotë vetëm në Universitetin e Gjakovës ka qenë ky komision ndërsa tek këto Universitetet e tjera nuk ka qenë fare dhe është bërë një vlerësim i tillë”, u shpreh ai.

Një tjetër e metë sipas hulumtimit është edhe se këto Universitete nuk kanë kode buxhetore të tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat