‘Punojmë tema diplome’ në Facebook, arrestohen dy të dyshuar

Kronikë e zezë

‘Punojmë tema diplome’ në Facebook, arrestohen dy të dyshuar

Më: 7 mars 2019 Në ora: 15:53
Foto ilustrim

Hetuesit policorë nga Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike-Prishtinë, në fillim të këtij viti, kanë filluar hetimet pasi në rrjetin social Facebook dhe në faqen e blerjeve online ‘Merr-jep’, kanë hasur njoftime të tilla si: ‘punojmë tema diplome...’, duke vendosur edhe çmimin e këtij shërbimi prej 300 euro.

Policia për këtë dukuri ka njoftuar Prokurorinë Themelore në Prishtinë dhe ka kërkuar lejimin e masave të fshehta të hetimit, në rastin konkret ‘blerje e stimuluar’.

Në mesin e janarit ka filluar përdorimi i këtyre masave dhe ka përfunduar sot, më 7.3.2019, me momentin e dhënies së parave ‘hartuesve/përpiluesve të temave të  diplomave’. 

Në flagrancë, nën dyshimin për përfshirje në veprat penale: ‘falsifikim i dokumenteve’ dhe ‘mashtrim’, policia ka arrestuar A. S. (1989) dhe F. E. (1979), të cilët pas intervistimit në prani të avokatëve mbrojtës, me aktvendim të prokurorit kompetent, dërgohen në mbajtje për 48 orë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat