Mbetet shqetësues numri i aksidenteve

Kronikë e zezë

Mbetet shqetësues numri i aksidenteve

Më: 10 mars 2019 Në ora: 23:06
Foto ilustrim

Vetëm prej janarit e deri sot 16 persona kanë humbur jetën në komunikacion. Kjo shifër e madhe është bërë alarmuese.

Edhe sot një këmbësore 77-vjeçare është goditur nga një kamion në Fushë Kosovë afër shkollës “Mihal Grameno”.

Dëshmitarët thanë prapa kamerave se e moshuara kishte qenë në vija të bardha kur ishte goditur dhe se kishte qenë me këto bukë në duar.

Policia ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes.

“E lënduara është përcjellë në QKUK për trajtim mjekësor dhe vlerësohet që gjendja e saj momentalisht është jashtë rrezikut për jetë. Megjithatë, Policia me autoritetet e tjera janë në proces të hetimeve për të identifikuar shkaqet dhe rrethanat se si është shkaktuar ky aksident”, thotë Daut Hoxha, zëdhënës i Policisë së Kosovës.

Qytetarët thonë se janë të shqetësuar, sepse kohët e fundit numri i aksidenteve, e sidomos atyre me fatalitet është rritur dukshëm.

Rastet e fundit që ndodhën në Gjilan, Podujevë dhe Fushë Kosovë thonë se i kanë tronditur shumë.

Edhe policia thotë se numri i aksidenteve në këtë periudhë të vitit është shqetësues.

Zëdhënësi i policisë së Kosovës, Daut Hoxha ka thënë për televizionin publik se krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak aksidentet me fatalitet janë rritur.

Duke parë që këto muaj është rritur numri i aksidenteve me fatalitet, policia e Kosovës ka rritur numrin e njësiteve të saj në pikat e kontrollit, numrin e shqiptimit të gjobave, ku vetëm në muajt janar shkurt janë shqiptuar më shumë se 63 mijë tiketa, apo 10 mijë gjoba më shumë se në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Gjithashtu po realizohen edhe disa fushata vetëdijësuese për ngasësit e automjeteve dhe këmbësorët.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat