Burg 3 të arrestuarve për vrasjen e Jurgen Kurtit. Dëshmia: Fola nën presion, po unë…

Kronikë e zezë

Burg 3 të arrestuarve për vrasjen e Jurgen Kurtit. Dëshmia: Fola nën presion, po unë…

Më: 29 mars 2019 Në ora: 14:15
Foto ilustrim

Për më shumë se 3 orë, Gjykata e Tiranës vlerësoi dje masën e sigurisë për 3 të arrestuarit për vrasjen e Jurgen Kurtit, duke caktuar ndaj tyre “Arrest në burg” deri në përfundim të hetimeve.

Kështu, sipas Prokurorisë, Elsi Levendi, 21 vjeç, lindur në Athinë/Greqi dhe banues në Tiranë, Alesio Berberi, 33 vjeç, lindur në Patos dhe Olsi Qalliaj, 22 vjeç, lindur në Fier dhe banues në Patos, në bashkëpunim dhe me Klodjan Banen, i shpallur tashmë në kërkim, kanë vrarë Jurgen Kurtin poshtë banesës së tij.

Provat kryesore të akuzës ishin pamjet e kamerave të sigurisë, të cilat kanë kapur të gjitha lëvizjet e të dyshuarve, si dhe disa mesazhe dhe përgjime telefonike, ku sipas prokurorit, implikojnë të arrestuarit, por edhe të shpallurin në kërkim.

Gjatë seancës së zhvilluar dje me dyer të mbyllura(me kërkesë të Prokurorisë) mësohet se Elsi Levendi, i cili më herët ka dhënë shpjegime në Polici, ka pretenduar se deklarimet i janë marrë nën presion dhe pa një avokat mbrojtës. Ai ka mohuar të ketë gisht në vrasje dhe tha se nuk i njihte personat e tjerë të arrestuar.

“Nuk kam lidhje me vrasjen, deklarimet më janë marrë nën presion dhe me një avokat që nuk e kam zgjedhur unë dhe nuk e njoh. Por unë nuk kam lidhje me vrasjen e nuk i njoh të ndaluarit apo personin në kërkim”, është shprehur para Gjykatës Levendi.

Ndërkohë, mësohet se dy personat e tjerë të arrestuar si të përfshirë në vrasjen e Kurtit, Alesio Berberi dhe Olsi Qalliaj, nuk kanë dhënë deklarime para Gjykatës, duke kërkuar ta bënin këtë në një moment të dytë.

Prokuroria e kryeqytetit ka ngritur 3 akuza për të rinjtë, konkretisht: “Vrasje me paramendim e kryer në bashkëpunim”, “Prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake” dhe “Prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”.

Ndërkohë, Policia bëri të ditur se gjatë kontrollit fizik dhe në banesat e këtyre shtetasve gjeti dhe sekuestroi një automjet, që u ka shërbyer autorëve për t’u larguar nga vendi i ngjarjes, si dhe dy makina të tjera luksoze. Gjithashtu u gjet dhe një armë zjarri “Pistoletë TT”, fishekë luftarakë, një sasi prej 2470 euro e lekë shqiptare, 13 aparate celularë, si dhe një sasi e vogël lënde narkotike.

1. ELSI LEVENDI 21 vjeç, banues në Tiranë (i arrestuar)
2. ALESIO BERBERI 33 vjeç, lindur në Patos (i arrestuar)
3 . OLSI QALLIAJ 22 vjeç, banues në Patos (i arrestuar)
4. KLODJAN BANE (BUXHUKU) 38 vjeç, banues në Patos (në kërkim)

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat